Netanyahu s’i frikësohet paralajmërimit të Bidenit: “Nëse duhet, do të qëndrojmë vetëm”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij mund të qëndrojë vetëm pas paralajmërimit të Shteteve të Bashkuara se mund të ndalë disa dërgesa të armëve, nëse Netanyahu jep urdhër për pushim të plotë të qytetit Rafah të Gazës.
“Nëse na duhet… do të qëndrojmë vetëm. Unë kam thënë se nëse është e nevojshme, ne do të luftojmë me thonj” – tha kryeministri izraelit, raporton televizioni BBC.
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë pauzuar një dërgesë të bombave në Izrael për shkak të frikës për vrasje të civilëve.
Megjithatë, Netanyahu e solli ndër mend luftën e vitit 1948 për t’iu kundërvënë paralajmërimeve të ShBA-së, aleatja më e ngushtë e Izraelit.
“Në Luftën e Pavarësisë, para 76 vjetëve, ne ishim të paktët kundër shumë. Ne nuk kishim armë. Ishte një embargo armësh ndaj Izraelit, por me fuqi të madhe të shpirtit, heroizmit dhe unitetit mes nesh – ne ishim fitimtarë” – tha kryeministri izraelit.
Ai shtoi se Izraeli ka “shumë më shumë se thonjtë tanë”, nëse Bideni e ndërpret dërgimin e armëve. “Dhe me atë fuqi të shpirtit, me ndihmën e Zotit, së bashku ne do të jemi fitimtarë” – tha Netanyahu.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se “armiqtë dhe... miqtë më të mirë” të vendit të tij duhet të kuptojnë se Izraeli “nuk mund të nënshtrohet”. “Ne do të qëndrojmë të fuqishëm, ne do t’i arrijmë qëllimet tona” – shtoi ai.
Këto komente erdhën disa orë pasi Kombet e Bashkuara thanë se mbi 80 mijë njerëz ishin larguar nga qyteti Rafah nga e hëna mes bombardimeve të vazhdueshme dhe kur tanket izraelite janë grumbulluar afër zonave me ndërtim të dendur.
Trupat izraelite e kanë marrë kontrollin dhe e kanë mbyllur pikëkalimin kufitar në Rafah në fillim të operacionit të tyre, ndërsa OKB-ja tha se është shumë rrezik që stafi dhe kamionët e saj të arrijnë në pikëkalimin e rihapur, “Kerem Shalom”.
Forcat izraelite kanë thënë se po kryejnë “bastisje të shënjestruara” kundër elementeve të Hamasit që kanë mbetur në qytet. Megjithatë, qeveria izraelite ka refuzuar që të përjashtojë një pushtim të plotë, duke e nxitur presidentin amerikan që të paralajmërojë për pezullimin e dërgesave të disa armëve, nëse Izraeli e bën këtë veprim.