Netanyahu s’i dëgjon mjekët, del nga spitali pas operacionit e shkon në Kuvend
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u ngrit nga shtrati i spitalit për t’u bërë thirrje partnerëve të padisiplinuar të koalicionit qeveritar për të rënë në një vijë e për ta mbështetur buxhetin e vitit 2025, pasi rebelët e linjës së rreptë kërcënuan me tërheqje të mbështetjes për projektligjin.
Netanyahu, i cili është duke e marrë veten pas një operacioni në prostatë, shkoi në Kuvendin e Izraelit, i njohur si Knesset, kundër rekomandimit të mjekëve për ta siguruar miratimin e legjislacionit me të cilin synohet rritja e të ardhurave shtetërore, pasi ministri i Sigurisë Kombëtare me qëndrime të së djathtës ekstreme, Itamar Ben Gvir, dhe partitë ultra-ortodokse thanë se ata mund të votonin kundër projektligjit ose mund të abstenonin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Projektligji, pako e kursimeve në kohë lufte, e përbërë nga rritja e taksave e zvogëlimi i shpenzimeve në fusha të caktuara, u miratua me shumicë të ngushtë, por ishte edhe një shenjë tjetër e përçarjeve që po rriten në koalicionin e Netanyahut, më i djathti në hisotrinë e Izraelit.
Në një votim fillestar më herët në dhjetor, ligjvënësit izraelite e kishin miratuar me shumicë të ngushtë projektligjin e buxhetit pavarësisht nga rebelimi i partnerëve të koalicionit, të cilët kërkonin që Netanyahu ta shkarkonte kryeprokurorin.
“Unë pres që të gjithë anëtarët e koalicionit, përfshirë ministrin Ben-Gvir, të ndalen së trazuari koalicionin dhe së rrezikuari ekzistencën e një qeverie djathtiste” – tha të martën kryeministri izraelit.
Ministri Ben Gvir kërkoi më shumë fonde për policinë, të cilën e mbikëqyr ministria që ai e drejton, ndërsa partitë ultra-ortodokse e kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj legjislacionit që do të detyronte disa anëtarë të komuniteteve të tyre që të rekrutohen në ushtri.
Buxheti tani do të dërgohet në Komisionin për Financa e në komisione të tjera të Kuvendit, ku mund të ballafaqohet me ndryshime. Dështimi për ta miratuar buxhetin e ri deri më 31 mars do të shkaktonte zgjedhje të reja./Nacionale/Nasuf Abdyli