Netanyahu privatisht i hapur për përfshirjen e Autoritetit Palestinez në Gazën e pasluftës
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në javët e fundit ka qenë duke u tërhequr nga kundërshtimi i saj për përfshirjen e individëve të ndërlidhur me Autoritetin Palestinez në menaxhimin e Gazës pas luftës kundër Hamasit, i thanë gazetës “The Times of Israel” tri burime të afërta me çështjen.
Ky zhvillim vjen pasi zyra e Netanyahut me muaj e kishte udhëzuar udhëheqësinë e sigurisë që të mos e përfshinte Autoritetin Palestinez në ndonjërin prej planeve për menaxhimin e Gazës pas luftës, sipas dy zyrtarëve izraelitë që thanë se urdhri i kishte penguar në masë të konsiderueshme përpjekjet për hartimin e propozimeve realiste, raporton gazeta izraelite.
Publikisht, Netanyahu vazhdon që ta refuzojë idenë e pushtetit të Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës. Javën e kaluar, ai tha në televizionin “Channel 14” se nuk do ta lejojë formimin e një shteti palestinez në territorin bregdetar dhe se nuk ishte i përgatitur për t’ia dhënë Gazën Autoritetit Palestinez.
Në vend të kësaj, kryeministri izraelit tha se do të donte të formonte një “administratë civile – nëse është e mundshme, me palestinezë lokalë dhe shpresoj, me përkrahjen nga shtetet në rajon”.
Privatisht, megjithatë, ndihmësit e lartë të Netanyahut kanë konkluduar se individë që kanë lidhje me Autoritetin Palestinez janë opsioni i vetëm i zbatueshëm që Izraeli e ka, nëse dëshiron të mbështetet te “palestinezët lokalë” për t’i menaxhuar çështjet civile në Gaza pas luftës, konfirmuan javën e kaluar dy zyrtarë izraelitë dhe një zyrtar amerikan.
“Palestinezë lokalë” është kodi për individë të lidhur me Autoritetin Palestinez” – tha një zyrtar izraelit i sigurisë.
Dy zyrtarë izraelitë shpjeguan se individët në fjalë janë banorë të Gazës dhe në listën e pagave të Autoritetit Palestinez që kanë menaxhuar çështje civile në enklavë deri më 2007, kur Hamasi e kishte marrë kontrollin, dhe tani po i nënshtrohen vetingut nga Izraeli.
Një zyrtar tjetër izraelit tha se zyra e Netanyahut ka filluar që ta bëjë dallimin mes udhëheqësisë së Autoritetit Palestinez, i udhëhequr nga presidenti Mahmoud Abbas, që ende nuk e ka dënuar publikisht sulmin e Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, dhe punëtorëve “të nivelit më të ulët” të Autoritetit Palestinez që janë pjesë e institucioneve tashmë të themeluara në Gaza dhe që janë më të përshtatshëm për t’i udhëhequr çështjet administrative në Gaza./Nacionale