Netanyahu: Po të donim të kryenim gjenocid, do të nevojitej saktësisht një pasdite
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë akuzën se vendi i tij është duke kryer gjenocid në Gaza, duke thënë para gazetarëve të dielën në mbrëmje se “po të donim të kryenim gjenocid, kjo do të merrte saktësisht një pasdite”.
Netanyahu i bëri këto komente afër fundit të konferencave që i mbajti me gazetarë izraelitë dhe të huaj, gjatë të cilave mohoi përsëri se Izraeli e ka ndjekur politikën e vdekjes nga uria në enklavë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Duke folur para mediave izraelite, Netanyahu në mënyrë të rreme pretendoi se Izraeli kurrë nuk i ka ndalur ndihmat humanitare për Gazën, edhe pse qeveria e tij e ka zbatuar këtë politikë më herët këtë vit.
Kryeministri izraelit i bëri dy komentet përderisa po e mbronte vendimin e ri të qeverisë së tij për një ofensivë ushtarake në Qytetin Gaza. Ai tha se plani do ta sjellë humbjen e Hamasit, por ai ka nxitur kundërshtime brenda e jashtë Izraelit.
Izraeli gjithashtu është ballafaquar rishtazi me censurë globale për shkak të raportimeve të gjera për vdekje nga uria dhe kequshqyerja në Rripin e Gazës. Netanyahu vazhdimisht ka mohuar se ka vdekje të tilla ose që Izraeli po mundohet të krijojë krizë humanitare atje.
“Nuk ka vdekje nga uria. Nuk ka pasur vdekje nga uria. Ka pasur mungesë (ushqimi). Dhe sigurisht, nuk kishte politikë të vdekjes nga uria” – tha Netanyahu. “Nëse do të donim vdekje nga uria, nëse ajo do të kishte qenë politika jonë, dy milionë banorë të Gazës nuk do të ishin duke jetuar sot pas 20 muajve” – shtoi ai.
Kryeministri izraelit vazhdoi: “Është e njëjta gjë me gjenocidin – nëse do të donim të kryenim gjenocid, kjo do të merrte saktësisht një pasdite.”
Zyrtarët lokalë në Gaza, përpos agjencive ndërkombëtare e grupeve të ndihmave, kanë dokumentuar numër në rritje të vdekjeve nga uria në Gaza. Izraeli i ka kontestuar pretendimet dhe e fajëson Hamasin për vjedhje të ndihmave, ndërsa Kombet e Bashkuara për dështim që t’i shpërndajnë ato. Sidoqoftë, i ballafaquar me rritje të reagimeve ndërkombëtare, Izraeli ka miratuar disa masa për shtimin e dërgesave me ndihma./Nacionale