Netanyahu po e diskuton planin për “emigrim vullnetar” të banorëve të Gazës
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke zhvilluar një takim të nivelit të lartë për “emigrimin vullnetar” të palestinezëve nga Rripi i Gazës, tha zyra e njërit prej pjesëmarrësve në takim.
Në këtë takim po marrin pjesë zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe ministra të kabinetit qeveritar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Në mbledhje po diskutohet një plan për t’ua lejuar banorëve të Gazës largimin nga enklava që nga tetori, raporton televizioni “Channel 13”.
Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Sipas raportit të televizionit “Channel 13”, establishmentit të mbrojtjes i është paraqitur një plan sipas të cilit banorët e Gazës mund të fillojnë që të largohen nga enklava e rrënuar nga lufta duke nisur nga muaji i ardhshëm – përmes ajrit dhe detit.
Burimet e mbrojtjes i thanë televizionit se Izraeli është në bisedime me disa shtete afrikane për pranimin e banorëve të Gazës, por se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për këtë çështje.
Kritikët e kësaj politike e akuzojnë Izraelin se po mundohet që të bëjë spastrim etnik të Gazës, duke marrë parasysh se shumë prej atyre që po e shtyjnë përpara këtë politikë nuk janë zotuar se palestinezëve të larguar do t’u lejohet rikthimi, ndërsa bëjnë përpjekje për rivendosjen e vendbanimeve izraelite atje./Nacionale