Netanyahu për largimin e popullsisë së Gazës: Nuk do të nxirren, do t’u lejohet të dalin - NACIONALE

Netanyahu për largimin e popullsisë së Gazës: Nuk do të nxirren, do t’u lejohet të dalin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në një intervistë televizive të martën mbrëmja, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e përsëriti idenë e përmendur edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, se palestinezët thjesht duhet të largohen nga enklava ku banojnë mbi dy milionë njerëz pas gati dy vjetëve në konflikt.

“Ata nuk do të nxirren, atyre do t’u lejohet që të dalin” – tha ai në kanalin televiziv “i24News”. “Të gjithë ata që janë të shqetësuar për palestinezët dhe thonë se duan që t’i ndihmojnë palestinezët, duhet t’i hapin portat e tyre dhe ta ndërpresin dhënien e leksioneve për ne” – shtoi kryeministri izraelit, shkruan gazeta “The Guardian”.

Shumë udhëheqës botërorë janë shprehur kundër idesë së zhvendosjes së popullsisë së Gazës, për të cilën palestinezët thonë se do të ishte një “Nakba” (katastrofë) tjetër. Ky term i referohet ikjes ose largimit me forcë të qindra mijëra palestinezëve gjatë luftës së vitit 1948.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 123 njerëz u vranë gjatë 23 orëve të fundit. Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se kjo ishte shifra më e rëndë njëditore e viktimave qe një javë.

Ndërkohë, aeroplanët dhe tanket izraelite i bombarduan rëndë zonat lindore të Qytetit Gaza gjatë natës së kaluar, thanë banorët. Raportohet për shumë shtëpi të shkatërruara në lagjet Zeitoun dhe Shejaia.

Spitali “Al-Ahli” tha se dymbëdhjetë njerëz u vranë nga një sulm ajror ndaj një shtëpie në Zeitoun.

Tanket gjithashtu shkatërruan disa shtëpi në pjesën lindore të qytetit Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, ndërsa në pjesën qendrore, nga zjarri izraelit u vranë nëntë njerëz që po kërkonin ndihma në dy incidente të ndara, thanë mjekët palestinez. Ushtria izraelite nuk komentoi./Nacionale

Lajme të ngjashme