Netanyahu: Lidhjet me ish-kryeministrin Barak dëshmojnë se Epsteini s’punoi për Izraelin - NACIONALE

Netanyahu: Lidhjet me ish-kryeministrin Barak dëshmojnë se Epsteini s’punoi për Izraelin

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të premten se “marrëdhënie e ngushtë e pazakonshme” mes ish-kryeminsitrit izraelit, Ehud Barak, dhe financierit e të akuzuarit tashmë të ndjerë për shkelje seksuale, Jeffrey Epstein, dëshmon se ky i fundit nuk ishte agjent izraelit, ndryshe nga teoritë konspirative që po qarkullojnë në internet.

“Marrëdhënia e ngushtë e pazakonshme e Jeffrey Epsteinit me Ehud Barakun nuk sugjeron se Epsteini punoi për Izraelin. Kjo e dëshmon të kundërtën” – shkroi Netanyahi në gjuhën angleze në rrjetin X, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“I ngujuar në humbjen e tij në zgjedhje para më shumë se dy dekadave, Baraku me vite është përpjekur në mënyrë obsesive që ta minojë demokracinë izraelite duke punuar me të majtën radikale anti-zioniste në përpjekjet e dështuara për ta rrëzuar qeverinë e zgjedhur izraelite” – pretendoi Netanyahu.

“Fiksimi personal i Barakut e shtyu atë që të angazhohej në aktivitete në mënyrë publike e në prapaskenë për ta minuar Qeverinë e Izraelit, përfshirë nxitjen e lëvizjeve masive protestuese, nxitjen e trazirave dhe ushqyerjen e narrativave të rreme mediale” – tha më tej kryeministri izraelit, duke iu referuar mbështetjes së Barakut për protestat kundër përpjekjeve të Qeverisë për ta dobësuar sistemin gjyqësor.

Publikimi i miliona dokumenteve të brendshme të lidhura me Epsteinin javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së i zbuloi dhe i konfirmoi lidhjet e tij me shumë figura të njohura nga politika, financa, fusha akademike dhe biznesi, përfshirë Barakun.

Lidhjet personale dhe biznesore të Barakut me Epsteinin kanë qenë të njohura me vite. Nuk ka dëshmi për ndonjë shkelje nga ish-kryeministri izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme