Netanyahu i quan të pasuksesshme përpjekjet për ta minimizuar numrin e viktimave civile
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se përpjekjet për parandalimin e viktimave civile palestineze nuk po janë të suksesshme, sepse Hamasi po e ndalon lëvizjen e njerëzve drejt vendeve më të sigurta.
Izraeli thotë se Hamasi ka vendosur armë e municion dhe se po mban pengje në një rrjet tunelesh nën spitalet si “Al-Shifa”, duke i përdorur si mburoja njerëzore pacientët dhe mijëra njerëz të zhvendosur, që janë strehuar në ato objekte. Hamasi e mohon këtë, raporton agjencia “Reuters”.
Netanyahu u pyet të enjten nga televizioni amerikan, CBS, nëse vrasja e mijëra palestinezëve nga Izraeli në luftën pothuajse gjashtëjavore kundër militantëve të Hamasit do të nxisë urrejtje në mesin e një gjenerate të re.
Kryeministri izraelit tha se përpjekjet për ta minimizuar numrin e viktimave civile nuk kanë qenë të suksesshme, duke e akuzuar Hamasin se po ua parandalon civilëve shkuarjen në vende më të sigurta.
“Secila vdekje e civilëve është tragjedi dhe nuk duhet të kemi asnjë, sepse po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i larguar civilët nga rruga e lëndimit, ndërsa Hamasi po bën gjithçka për t’i mbajtur ata në rrugën e lëndimit”- tha Netanyahu.
“Prandaj, ne dërgojmë fletushka, i thërrasim në telefona dhe u themi: largohuni. Shumë janë larguar”- shtoi ai.
Ushtria izraelite publikoi një video në të cilën tha se shihet hyrja e një tuneli në një zonë të jashtme të spitalit “Al-Shifa”, më i madhi në Gaza.
Forcat izraelite thanë, gjithashtu, se trupat e tyre kanë gjetur një automjet në spital me numër të madh të armëve.
Hamasi tha në një deklaratë të enjten vonë se pretendimet e Pentagonit dhe të Departamentit të Shtetit të ShBA-së se ky grup e shfrytëzon spitalin “Al-Shifa” për qëllime ushtarake “është përsëritje e një narrative të rreme në mënyrë flagrante, e paraqitur nga performancat e dobëta e qesharake të zëdhënësit të ushtrisë pushtuese”.
