Netanyahu është “skllav i retorikës së vet”, thotë analisti amerikan
Sondazhet në Izrael po tregojnë pakënaqësi në rritje me fushatën ushtarake të vendit në Gaza, i tha të hënën televizionit CNN kolumnisti dhe analisti gjeopolitik, Bobby Ghosh.
“Është një ndjenjë në mesin e shumë izraelitëve se fushata [ushtarake] e ka kryer rrugën e vet dhe se nuk ka shumë për t’u fituar” – tha Ghosh, duke shtuar se disa besojnë që veprimet ushtarake “po i rrezikojnë pengjet dhe po e dëmtojnë imazhin e Izraelit në botë”, raporton televizioni CNN.
“Ai e vendosi pragun shumë lart duke thënë se dëshiron që ta eliminojë tërësisht Hamasin” – tha analisti, duke iu referuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. “Porsa e vendosi atë qëllim, ai në njëfarë shkalle është skllav i retorikës së vet” – shtoi Ghosh.
Nëse Netanyahu “nuk është në gjendje që ta kënaqë krahun e së djathtës ekstreme të atij koalicioni që qëndron prapa kësaj strategjie”, shtoi ai, “ata do t’ia tërheqin mbështetjen dhe qeveria e tij do të bjerë”.
Në kohën e kritikave intensive brenda e jashtë vendit, Netanyahu e mbrojti të dielën në një konferencë për gazetarë planin e tij për marrjen e kontrollit ushtarak të Qytetit Gaza, duke e quajtur atë “mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës dhe rruga më e mirë për ta bërë këtë shpejt”.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara e dënuan vrasjen e gazetarëve palestinezë në Gaza nga forcat izraelite, duke e quajtur “shkelje të rëndë të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.
“Ne e dënojmë vrasjen nga ushtria izraelite të gjashtë gazetarëve palestinezë duke e vënë në shënjestër tendën e tyre, në shkelje të rëndë të së drejtës humanitare ndërkombëtare” – shkroi OKB-ja në rrjetin X, duke shtuar se “Izraeli duhet t’i respektojë dhe t’i mbrojë të gjithë civilët, përfshirë gazetarët”./Nacionale