Netanyahu e telefonoi Rubion, iu ankua pse Turqia u përfshi në Bordin Ekzekutiv për Gazën - NACIONALE

Netanyahu e telefonoi Rubion, iu ankua pse Turqia u përfshi në Bordin Ekzekutiv për Gazën

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Vetëm disa orë pasi zyra e tij lëshoi një njoftim ku thuhej se Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit, e kishte udhëzuar ministrin e Jashtëm, Gideon Sa’ar, që t’ia shprehte homologut amerikan, Marco Rubio, kundërshtimin e Izraelit ndaj përbërjes së Bordit Ekzekutiv për Gazën, vetë kryeministri bisedoi me kryediplomatin amerikan, raporton televizioni izraelit “Channel 12”.

Netanyahu e theksoi para Rubios kundërshtimin e Izraelit ndaj përfshirjes së Turqisë dhe Katarit në Bordin Ekzekutiv për Gazën dhe bëri të ditur se Izraeli ishte i befasuar me njoftimin e Uashingtonit për përbërjen e Bordit Ekzekutiv, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Burimet i thanë televizionit “Channel 12” se Netanyahu e kupton, megjithatë, se nuk ka mënyrë se si të bëhet kthim prapa në kohë pas këtij vendimi, tani që Trumpi tashmë e ka bërë publik atë.

Zyra e Kryeministrit i konfirmoi mediumit se telefonata mes Netanyahut dhe Rubios ka ndodhur.

Ndërkohë, raportohet se Mbreti Mohammed VI i Marokut e ka pranuar ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme e Marokut.

Në një deklaratë, kjo ministri tha se Maroku e mirëpret fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të Trumpit për paqen si dhe themelimin zyrtar të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës si organ i përkohshëm kalimtar.

Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka refuzuar ftesën për t’u bërë pjesë e Bordit, sipas mediumit “Politico”./Nacionale

Lajme të ngjashme