Netanyahu e paralajmëron Libanin për shkatërrim “të ngjashëm me atë që e shohim në Gaza”
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka paralajmëruar libanezët se ballafaqohen me rënien “në humnerën e një lufte të gjatë”, përderisa vendi i tij po e eskalon ofensivën kundër Hezbollahut.
“Të krishterë, druze, myslimanë – sunitë e shiitë njësoj – të gjithë ju po vuani për shkak të luftës së kotë të Hezbollahut në Izrael” – tha Netanyahu në një video-adresim drejtuar popullit libanez të martën, raporton televizioni CNN.
“Ju keni një mundësi për ta shpëtuar Libanin para se ai të bjerë në humnerën e një lufte të gjatë që do të sjellë shkatërrim dhe vuajtje të ngjashme me ato që i shohim në Gaza” – shtoi ai.
Libani tashmë po i sheh “modelet e njëjta” dhe “metodat e luftimit” që Izraeli i ka përdorur në Gaza, thanë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar për zhvendosje masive nga egërsia e sulmeve izraelite.
Ofensiva ushtarake e Izraelit e ka shndërruar në rrënoja pjesën më të madhe të Gazës, ku raportohet për të paktën 41 mijë e 900 të vdekur e deri në 1,9 milion – rreth 90 për qind e popullsisë së enklavës – të zhvendosur.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e shtyu udhëtimin e tij në ShBA me udhëzimin e kryeministrit Netanyahu, pjesërisht për shkak se kreu i ekzekutivit dëshiron që së pari kabineti të votojë për natyrën e kundërpërgjigjes së Izraelit ndaj Iranit, i tha televizionit CNN një zyrtar izraelit.
Gallanti, marrëdhënia e të cilit me Netanyahun është e tensionuar për shkak të politikave rreth Gazës, kishte planifikuar të takohej të mërkurën me sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Lloyd Austin, i tha televizionit amerikan një zyrtar izraelit./Nacionale