Netanyahu e mbledh kabinetin e sigurisë të enjten për miratimin e planeve të luftës në Gaza
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do ta mbledhë kabinetin e sigurisë në orën 18:00 të enjten në zyrën e tij në Jerusalem, sipas Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë një diskutimi 3-orësh të sigurisë mes një grupi më të vogël zyrtarësh të martën, Netanyahut iu paraqitën disa opsione për operacionet e vazhdueshme ushtarake në Gaza nga komandanti i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Thuhet se kabineti pritet të miratojë një pushtim të plotë ushtarak të Rripit të Gazës gjatë mbledhjes së nesërme, pavarësisht se kundër këtij plani kanë dalë komandanti dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë.
Më herët u raportua se zyrtarët ushtarakë kanë paralajmëruar se pushtimi i plotë i Gazës do të sillte shumë viktima në mesin e trupave izraelite si dhe rrezikun për vrasjen e pengjeve që ende po mbahen në enklavë.