Netanyahu do ta mbledhë kabinetin qeveritar për t’i diskutuar qëllimet e luftës në Gaza - NACIONALE

Netanyahu do ta mbledhë kabinetin qeveritar për t’i diskutuar qëllimet e luftës në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se do ta mbledhë kabinetin e sigurisë këtë javë për të diskutuar se si të udhëzohet ushtria për përmbushjen e qëllimeve të tij të luftës në Gaza.

“Ne duhet të vazhdojmë që të qëndrojmë bashkë dhe të luftojmë bashkë për t’i arritur të gjitha objektivat tona të luftës: mposhtjen e armikut, lirimin e pengjeve tona dhe garancinë që Gaza nuk do të paraqesë më kërcënim ndaj Izraelit” – tha Netanyahu në fillim të një takimi të rregullt të kabinetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Televizioni izraelit “Channel 12” citoi një zyrtar të zyrës së kryeministrit të ketë thënë se Netanyahu po anon nga zgjerimi i ofensivës dhe kapja e tërë enklavës palestineze.

Mediat izraelite raportuan se kabineti do të takohet të martën për të marrë një vendim rreth kësaj çështjeje. Zyra e Netanyahut nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Lufta në Gaza nisi kur Hamasi vrau 1.200 njerëz dhe mori peng 251 të tjerë gjatë sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, sipas shifrave izraelite.

Nga ofensiva izraelite prej asaj kohe janë vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza.

Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje ndodhen ende në Gaza, prej të cilave vetëm 20 besohet se janë ende gjallë./Nacionale

Lajme të ngjashme