Netanyahu thotë se Izraeli do të futet në Rafah me apo pa marrëveshje për pengjet - NACIONALE

Netanyahu thotë se Izraeli do të futet në Rafah me apo pa marrëveshje për pengjet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se vendi i tij do të kryejë një operacion kundër Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht nëse sigurohet marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve apo jo.

“Ideja që ne do ta ndalim luftën para se t’i arrijmë të gjitha objektivat është jashtë diskutimit” – tha Netanyahu, sipas një deklarate të zyrës së tij, raporton agjencia “Reuters”.

Një person i afërt me kryeministrin izraelit tha të martën se Izraeli është duke e pritur përgjigjen e Hamasit ndaj propozimeve për ndërprerjen e luftimeve në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelite para se një ekip në Kajro t’i vazhdojë bisedimet.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, pritet të arrijë në Tel Aviv të martën në mbrëmje, pas një vizite të Riad për të ofruar ndihmë në ndërmjetësimin për marrëveshje normalizimi mes Arabisë Saudite dhe Izraelit. Presioni është shtuar për arritjen e një marrëveshjeje për ta ndalur luftën në Gaza, e cila po i bën gati shtatë muaj.

Pritjet që një marrëveshje të jetë në horizont janë shtuar ditëve të fundit pas një shtytjeje të përtërirë, të udhëhequr nga Egjipti për t’i ringjallur bisedimet e ngecura mes Izraelit dhe Hamasit.

Sidoqoftë, deri më tani, ka pasur pak shenja për një marrëveshje për dallimin më thelbësor mes dy palësve – kërkesën e Hamasit se çfarëdo marrëveshjeje duhet të garantojë tërheqje të trupave izraelite dhe përfundim të përhershëm të operacionit izraelit në Gaza.

“Ne nuk mund t’i themi popullit tonë që pushtimi do të qëndrojë ose luftimet do të vazhdojnë, pasi Izraeli t’i rimarrë të burgosurit e vet. Populli ynë do që ky agresion të përfundojë” – tha një zyrtar palestinez i lidhur me Hamasin.

Në anën tjetër, pozicioni i Netanyahut është ndërlikuar nga përçarjet brenda koalicionit qeveritar dhe nga raportimet se Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të jetë duke përgatitur urdhërarreste për të dhe udhëheqës të tjerë të lartë izraelitë nën akuza të ndërlidhura me zhvillimin e luftës.

Lajme të ngjashme