Të dielën zgjedhjet në Greqi, ndarja e votave mund të sjellë krizë politike - NACIONALE

Të dielën zgjedhjet në Greqi, ndarja e votave mund të sjellë krizë politike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Greqia do të mbajë zgjedhje parlamentare të dielën. Pritet që tri partitë kryesore të kenë vështirësi për formimin e koalicionit në një mjedis thellësisht të përçarë politik, pasi anketat nuk kanë parashikuar fitues që do të mund ta formonte qeverinë pa partnerë.

Sipas sondazheve, partia konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re, ka më së shumti përkrahje, ndërsa e dyta është partia majtiste, Syriza e Alexis Tsipras-it, e cila e udhëhoqi vendin gjatë kulmit të krizës së borxhit në periudhën 2015 – 2019, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas një sistemi të ri votimi, një parti duhet të fitojë të paktën 46 për qind të votave për ta formuar vetë qeverinë. Kështu, dy kandidatët kryesorë do të duhet të bëjnë përpjekje që të gjejnë aleatë ose – rezultati më i mundshëm – ta çojnë vendin në zgjedhje të reja brenda një muaji.

Pas zgjedhjeve, nëse vërtetohen parashikimet e rezultatit, tri partitë e para – Demokracia e Re, Syriza dhe PASOK-u socialist – do të marrin secila nga një mandat treditor në përpjekje për ta formuar qeverinë.

Demokracia e Re, e cila ka përkrahje prej 32 deri në 37 për qind të qytetarëve, në teori do të mund të bënte koalicion me PASOK-un, që në anketa ka nga 8 deri në 11 për qind përkrahje. Këto dy parti e kishin lënë anash armiqësinë e tyre historike dhe e kishin udhëhequr Greqinë gjatë krizës së borxhit. Megjithatë, kryeministri Mitsotakis tha këtë javë se parapëlqen një qeveri të fuqishme njëpartiake.

“Përvoja na ka mësuar ne në Greqi se qeveritë njëpartiake janë shumë më stabile se qeveritë me koalicion”- tha ai.

PASOK-u ka dhënë sinjale kundërthënëse për mundësinë e hyrjes në koalicion qeveritar, duke thënë se as Mitsotakis-i, as Tsipras-i nuk do të mund të shërbenin si kryeministër, nëse kjo parti bëhet pjesë e pushtetit.

Lajme të ngjashme