“Nëse s’je i aftë, e sjellim dikë që është”: Ministri Smotrich përplaset me komandantin e ushtrisë izraelite - NACIONALE

“Nëse s’je i aftë, e sjellim dikë që është”: Ministri Smotrich përplaset me komandantin e ushtrisë izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, u përplas të mërkurën në mbrëmje gjatë një mbledhjeje të kabinetit të sigurisë me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, për shkak të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, sipas disa komenteve që kanë rrjedhur nga takimi.

Sipas këtyre komenteve, përplasja mes dy zyrtarëve të lartë shpërtheu, pasi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e njoftoi kabinetin se Izraeli nuk do të ketë zgjedhje tjetër, pos t’i rinisë dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës brenda një ose dy javëve, por duhet të sigurohet që ato të mos bien në duart e Hamasit.

Duke u kundërpërgjigjur, komandanti i ushtrisë izraelite raportohet se i tha ministrit Katz se ushtria nuk do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e ndihmave, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Thuhet se ministri Smotrich më pas doli kundër gjeneralit, duke i thënë se “ushtria nuk i zgjedh misionet e saj” dhe se nomenklatura politike pret që ushtria të jetë në krye të shpërndarjes së ndihmave me qëllim që të garantohet se asnjë pjesë e mallrave nuk do të bien në duart e Hamasit.

“Ne u kemi specifikuar juve se duhet të përgatiteni për këtë. Ne do ta vendosim qëllimin dhe ju do të vendosni se si ta kompletoni atë” – i tha ministri Smotrich komandantit të ushtrisë. “Nëse nuk jeni të aftë, ne do të sjellim dikë që është i aftë. Nëse ju nuk dini se si ta bëni këtë, ne do të gjejmë dikë që di” – shtoi ministri.

Në këtë pikë, sipas transkriptës që ka rrjedhur, ministri pengohet nga ligjvënësit, të cilët kërkuan nga ai që ta ulte zërin, por Smotrich-i vazhdoi: “Ne përcaktuam që asnjë ndihmë të mos arrijë te Hamasi dhe unë s’mërzitem se si bëhet kjo. Nëse ti nuk di se si ta bësh këtë, atëherë thuaj: Nomenklaturë politike, unë nuk di. Në një demokraci, ushtria nuk i zgjedh misionet e veta.”

“Ti nuk do të qëndrosh këtu dhe të na thuash: Unë nuk do ta bëj këtë. Kjo nuk do të ndodhë. Vetëm nomenklatura politike vendos se cili është misioni” – raportohet të ketë thënë më tej ministri i Financave, duke iu drejtuar komandantit të ushtrisë izraelite.

Duke iu kthyer luftës më gjerësisht, thuhet se ministri Smotrich e kritikoi komandantin Zamir edhe për mënyrën se si është duke u zhvilluar konflikti, duke i thënë se Izraeli duhet të kalojë në një “fazë vendimtare” në lidhje me të ardhmen e Rripit të Gazës.

“Është një komandant i ri i Shtabit të Përgjithshëm, ne pritëm, ishim të durueshëm dhe kemi arritur në momentin në të cilin duhet të lëvizim tutje. Lufta nuk mund të vazhdojë siç po vazhdon tani dhe dhe ajo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë” – shtoi ministri i Financave./Nacionale

Lajme të ngjashme