Nëntë të vdekur nga zjarri në një qendër kujdesi në Massachusetts të ShBA-së
Nëntë njerëz kanë vdekur nga zjarri në një qendër kujdesi në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara, ku njerëzit kishin dalë në dritare duke bërtitur për ndihmë, thanë të hënën autoritetet amerikane.
Përpos të vdekurve, të paktën 30 njerëz të tjerë pësuan lëndime, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Zjarrfikësit iu përgjigjën zjarrit në shtëpinë e kujdesit “Gabriel House” në Fall River rreth orës 21 e 50 minuta të së dielës sipas kohës lokale. Me të arritur në vendin e ngjarjes, ata panë zjarr e tym të dendur në pjesën e përparme të ndërtesës dhe banorët kishin ngecur brenda, tha në një deklaratë për shtyp Departamenti i Shërbimeve kundër Zjarrit. Në këtë qendër banonin rreth 70 njerëz.
Zjarr u fik të hënën në mëngjes dhe zjarrfikësit ia dolën që të hynin brenda objektit dhe të shpëtonin shumë banorë. Rreth 50 zjarrfikës ndërhynë në rast, përfshirë rreth 30 që ishin jashtë detyrës.
Shumë prej personave të shpëtuar u dërguan në spitale lokale dhe rajonale në gjendje të ndryshme shëndetësore. Pesë zjarrfikës pësuan lëndime që nuk ua rrezikojnë jetën, thuhet në deklaratë.
“Kjo është një tragjedi fatkeqe për familjet e të përfshirëve dhe komunitetin e Fall River-it” – tha komandanti lokal i zjarrfikësve, Jeffrey Bacon.
Ai tha para gazetarëve se “shumë njerëz po qëndronin në dritare duke kërkuar që të shpëtoheshin”. Anëtarë të familjeve që shkuan në vendin e ngjarjes thanë se policët po mundoheshin t’i thyenin dritaret.
Autoritetet lokale dhe shtetërore thanë se prejardhja dhe shkaktari i zjarrit janë duke u hetuar. Në Fall River jetojnë rreth 94 mijë njerëz./Nacionale