Nënpresidenti Vance i ShBA-së takohet me Papa Leon që njihej për kritika ndaj Trumpit - NACIONALE

Nënpresidenti Vance i ShBA-së takohet me Papa Leon që njihej për kritika ndaj Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Papa Leo XIV, shtetas amerikan që në rolin e kardinalit i kishte kritikuar politikat e vijës së ashpër të administratës së presidentit Donald Trump ndaj emigrantëve, u takua të hënën në Vatikan me nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, JD Vance, i cili është konvertuar në katolik në moshë të rritur.

Një komunikatë e Vatikanit konfirmoi se Vance dhe Papa Leo ishin takuar, por nuk ofroi hollësi rreth diskutimit të tyre. Një zëdhënës i nënpresidentit amerikan tha se ata u takuan në katër sy, para se t’u bashkohej edhe sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, i cili gjithashtu është katolik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në fotografitë e publikuara nga Vatikani shihen Vance dhe Rubio duke buzëqeshur, përderisa ishin ulur përballë Papa Leos në tavolinën zyrtare të tij në pallatin apostolik në Vatikan.

Leo, i lindur në Chicago me emrin Robert Prevost, është figurë relativisht e panjohur në skenën globale. Ai u zgjodh papë më 8 maj.

Gjatë kohës kur shërbente si kardinal, ai kishte bërë disa publikime kundërshtuese ndaj politikave të administratës amerikane në rrjetin X, ku pasqyrohej shqetësimi i tij për emigrantët. Vatikani nuk ka konfirmuar e as mohuar se postimet ishin autentike.

Papa Françesku i ndjerë, i cili vdiq më 21 prill, ishte mbrojtës i të varfërve dhe emigrantëve dhe shpesh e kritikonte administratën e Trumpit.

Vance ishte takuar me Papa Françeskun të dielën e Pashkëve, një ditë para se argjentinasi të vdiste.

Lajme të ngjashme