Në zonat e çliruara të Ukrainës shpërfaqen rrëfimet për tortura
Në verilindje të Ukrainës, kundërsulmi i forcave ukrainase ka mundësuar marrje nën kontroll të një territori të konsiderueshëm, që më parë ishte i pushtuar nga rusët. Sidoqoftë, në zonat e çliruara rishtazi, lehtësimi dhe dhimbja janë të ndërthurura, pasi në skenë po dalin rrëfimet për tortura e vrasje gjatë pushtimit disamujor rus.
Artemi, i cili jeton në qytetin Balakliya të rajonit të Kharkiv-it, i tha televizionit BBC se është mbajtur nga rusët për më shumë se 40 ditë dhe është torturuar me goditje elektrike.
Qyteti Balakiya u çlirua më 8 shtator, pasi ishte i pushtuar për më shumë se gjashtë muaj. Epiqendra e brutalitetit ishte stacioni policor i këtij qyteti, të cilin forcat ruse e përdorën si seli qendrore.
Artemi thotë se mundte të dëgjonte bërtitje për shkak të dhimbjes dhe tmerrit, që vinin nga qelitë e tjera të stacionit.
Ai thotë se pushtuesit siguroheshin që bërtitjet të dëgjoheshin duke e ndalur sistemin e zhurmshëm të ajrosjes.
“Ata e ndalnin atë (sistemin) në mënyrë që secili të mund të dëgjonte se si njerëzit bërtisnin, kur goditeshin me rrymë. Ua bënë këtë disa të burgosurve çdo ditë... Ua bënë këtë edhe grave”, tha Artemi.

Ia bënë edhe atij, por vetëm një herë. “Më detyruan që të mbaj dy tela. Aty ishte një gjenerator i rrymës. Sa më shpejt që punonte ai, aq më i lartë tensioni i rrymës. Më thanë “nëse i lëshon telat, ke mbaruar”. Pastaj filluan të më bënin pyetje. Më thanë se po gënjeja dhe filluan që ta sillnin më shumë gjeneratorin dhe tensioni i rrymës rritej.
Artemi thotë se u ndalua nga rusët për shkak se ata gjetën një fotografi të vëllait të tij, ushtar, në uniformë. Një burrë tjetër nga qyteti Balakliya u mbajt 25 ditë në ndalim për shkak se e kishte flamurin ukrainas, tha Artemi.
Një drejtoreshë shkolle, e quajtur Tatiana, thotë se u mbajt në një stacion policor tri ditë dhe gjithashtu dëgjoi bërtitje nga qelitë e tjera.
Policët ukrainas thonë se deri në tetë burra mbaheshin në qeli që janë vetëm për dy persona. Ata thonë se banorët frikësoheshin edhe të kalonin afër stacionit, kur rusët e kishin pushtetin aty, në rast se merreshin nga ushtarët rusë.
Në qendrën e qytetit Balakliya, ku flamuri ukrainas po valon përsëri, disa njerëz u grumbulluan përreth një kamioni të vogël me ushqim. Shumë nga njerëzit në radhë ishin persona të moshuar. Ata dukeshin të dërrmuar, por kishte edhe ribashkime të lumtura, sepse miqtë përqafoheshin me njëri-tjetrin për herë të parë që nga dëbimi i rusëve.
Vetëm pak më larg, disa nga viktimat e tyre janë varrosur me ngut nga fqinjët. Një kryq druri e shënonte varrin e improvizuar të taksistit Petro Shepel. Trupi i pasagjerit të tij – identiteti i të cilit është ende i panjohur – ndodhet pranë tij.
Era e rëndë e vdekjes mund të nuhatej në ajër përderisa policia i zhvarrosi mbetjet e tyre dhe i futi në qese. Autoritetet thonë se dy burrat u vranë afër një pike ruse të kontrollit në ditën e fundit të pushtimit.
Nëna e Petros, Valentina, shikonte përderisa trupat zhvarroseshin. Ajo e shprehu zemërimin ndaj rusëve që ia vranë djalin.
“Dua ta pyes Putinin, pse e qëlloi dhe e vrau djalin tim? Për çka? Kush kërkoi nga ai që të vinte këtu me armë të tilla kërcënuese? Jo vetëm që na i vrau fëmijët tanë, por ai na vrau edhe ne, nënat e tyre. Këto ditë jam grua e vdekur dhe dua t’u drejtohem të gjitha nënave të botës: rebelohuni kundër atij vrasësi”, tha ajo.
Rrugës për në Balakliya, pamë automjete ushtarake me shenjën “Z” – qartazi të braktisura nga rusët gjatë ikjes. Në një fshat, e pamë dëmin e madh në një shkollë. Autoritetet thanë se ky ishte njëri ndër veprimet e fundit të shkatërrimit para se rusët të dëboheshin.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

