Në tubimin për 100 ditët në pushtet, Trumpi paralajmëron: Asgjë nuk do të më ndalë - NACIONALE

Në tubimin për 100 ditët në pushtet, Trumpi paralajmëron: Asgjë nuk do të më ndalë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka festuar 100 ditët në pushtet me një tubim në stil të fushatës zgjedhore në Michigan dhe me një sulm ndaj “gjykatësve komunistë të së majtës radikale”, të cilët i akuzoi se po mundohen t’ia grabisin pushtetin, duke paralajmëruar: “Asgjë nuk do të më ndalë.”

Zgjedhja e Michiganit për ta mbajtur tubimin nuk ishte vetëm njohje e asaj se si shteti kyç e ka ndihmuar Trumpin që të rikthehet në pushtet në garë me ish-nënpresidenten Kamala Harris vitin e kaluar, por edhe statusin e atij vendi si përfitues i mundshëm i politikës rreth taksave, e cila, sipas presidentit, do ta ringjallë prodhimin amerikan, raporton gazeta “The Guardian”.

“Jemi këtu sonte në zemrën e kombit tonë për t’i festuar 100 ditët e para më të suksesshme të cilësdo administratë në historinë e vendit tonë” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë. “Për 100 ditë, ne e kemi bërë ndryshimin më të thellë në Uashington në gati 100 vjet” – shtoi ai.

Presidenti i 45-të dhe i 47-të i Shteteve të Bashkuara e akuzoi në mënyrë të rreme administratën e mëparshme për inxhiniering të kalimeve masive të kufirit dhe për lejim të bandave, karteleve e terroristëve që të infiltroheshin në komunitete. “Demokratët janë zotuar për invazion masiv dhe imigrim masiv. Ne po bëjmë dëbim masiv” – tha miliarderi republikan.

Trumpi e mbrojti përdorimin e Aktit për Armiqtë e Huaj, autoritet i kohës së luftës i vitit 1798 që e lejon presidentin të ndalojë ose të dëbojë qytetarë të një vendi armik, të dëbojë terroristë të huaj nga ShBA-ja sa më shpejt që është e mundshme. Më pasi, ai iu sul gjykatave që kanë bllokuar shumë prej lëvizjeve të tij gjatë 100 ditëve të para të mandatit të dytë.

“Ne nuk mund të lejojmë që një grusht gjykatësish komunistë të së majtës radikale ta pengojnë zbatimin e ligjeve tona dhe t’i marrin detyrat që i përkasin vetëm presidentit të Shteteve të Bashkuara” – tha Trumpi me zemërim të qartë. “Gjykatësit po mundohen ta marrin pushtetin që i është dhënë presidentit për ta mbajtur të sigurt vendin tonë” – pretendoi ai më tej.

“Kjo s’është gjë e mirë, por shpresoj për hir të vendit tonë që Gjykata Supreme do të na shpëtojë, sepse duhet të bëjmë diçka. Këta njerëz vetëm po kërkojnë që ta shkatërrojnë vendin tonë. Asgjë nuk do të më ndalë në misionin për ta mbajtur Amerikën të sigurt përsëri” – premtoi presidenti.

Një person në prapaskenën ku po fliste Trumpi mbante në dorë një pankartë në të cilën shkruhej “Trump 2028”, edhe pse republikanit nuk i lejohet me kushtetutë që të shërbejë në një mandat të tretë./Nacionale

Lajme të ngjashme