Në Somalinë e varfër, pritje me orë në diell për ta marrë ushqimin për iftar
Muaji i shenjtë i Ramazanit këtë vit ka rënë në kohën e thatësisë më të gjatë që është regjistruar ndonjëherë në Somali. Kur dielli perëndon dhe myslimanët përreth botës bashkohen për ta përmbyllur ditën e agjërimit me iftare të begatshme, zonja Hadiiq Abdulle Mohamed dhe familja e saj kanë vetëm ujë dhe çfarëdo ushqimi që mund t’u bjerë në duar.
Ajo është në mesin e më shumë se një milion somalezëve që janë larguar nga shtëpitë e tyre për të kërkuar ndihmë, ndërsa rreth 43 mijë njerëz vlerësohet se vdiqën vetëm vitin e kaluar. Ajo, bashkëshorti dhe gjashtë fëmijët e tyre tash janë strehuar në njërin prej kampeve për të zhvendosur përreth kryeqytetit Mogadishu, raporton agjencia “Associated Press”.
Në Ramazan u rritën çmimet e ushqimit në një shtet që tashmë është duke u ballafaquar me inflacionin e shkaktuar pjesërisht nga pushtimi rus i Ukrainës dhe tharja e të mbjellave në vend nga pesë periudhat e dështuara të reshjeve rresht. Miliona gjedhe, që kanë rol qëndroj për ushqimin e njerëzve, kanë ngordhur.
Për njerëzit e zhvendosur, tani ushqimi është edhe më vështirë për t’u gjetur. Për Ramazan, Hadiiq dhe familja e saj mbështeten te bamirësit që ta sigurojnë vaktin e tyre të vetëm në ditë. Së pari, ata e prishin agjërimin me ujë dhe copëza hurmash, pastaj me oriz. Në fund, e hanë orizin e përzier me mish, bananet me shenja dhe pinë lëng të vendosur në qese plastike. Për këtë ushqim, ajo pret në radhë me orë nën diellin përvëlues.
“Më kujtohet agjërimi i Ramazanit në të kaluarën, kur po kënaqeshim e po përparonim. I milnim dhitë tona, përgatisnim ugali (qull me misër) e spinaq dhe pinim ujë nga ujëmbledhësi jonë. Megjithatë, këtë vit po jetojmë në një kamp, pa plastikë për t’u mbuluar nga shiu, pa ushqim për të ngrënë, të etur e duke e përjetuar thatësirën. E kemi këtë vakt të ngrohtë të vogël ushqimi, por a mendoni se me këtë mund të ushqehet një familje me gjashtë fëmijë e dy prindër? Kjo nuk është e mundshme”- tha ajo.
Familja dikur kishte begati, e punonte tokën dhe mbante dhi në një fshat rreth 140 kilometra në perëndim të kryeqytetit. Tani, kjo familje përpiqet t’ia dalë mbanë me ato pak të holla që babai i fëmijëve i fiton duke bartur mallra me karrocë. Sidoqoftë, çmimet e ushqimit janë rritur aq shumë, saqë ato të ardhura nuk mjaftojnë as për të blerë një kilogram oriz.
Shteti i Bririt të Afrikës e importon shumicën e ushqimit, nga gruri i rritur në Ukrainë deri te pijet “Mountain Dew”, të vendosura në disa dyqane në Mogadishu. Ndërkohë çmimet e produkteve elementare, si orizi dhe vaji ushqimor, po vazhdojnë të ngrihen në disa pjesë të vendit.
Ramazani është muaj i lëmoshës dhe faljes në botën islame. Kur numri i somalezëve të zhvendosur për shkak të thatësisë po rritet, imamët e xhamive në Mogadishu po bëjnë përpjekje që t’i inkurajojnë të pasurit e qytetit dhe të tjerët që kanë mundësi financiare për t’u solidarizuar me të varfrit dhe të japin me bujari.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli