Në panik për një sulm nga Irani, izraelitët po blejnë rezerva uji e gjeneratorë
Disa dyqane në Izrael raportuan për shtim të shitjes së produkteve themelore të enjten, përfshirë gjeneratorët dhe transistorët elektrikë, edhe pse shitësit thanë se nuk presin mungesë të furnizimit. Ky ndryshim vjen në kohën e kërcënimeve për hakmarrje nga Irani pas vrasjes së një komandanti të lartë iranian në Siri.
Rami Levi, pronar i zinxhirit të supermarketeve “Rami Levi”, tha në një deklaratë të enjten se shitjet ishin “më të larta se normalja këto ditë, por nuk është e qartë se sa prej shtimit është për shkak të afrimit të festës Pesach ose faktit se shitjet janë gjithmonë më të larta drejt fundit të javës, dhe sa shumë është për shkak të panikut rreth situatës së sigurisë”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Në çfarëdo rasti, nuk ka rritje dhe kjo është e mirë. Njerëzit mund të relaksohen. Nuk ka mungesa që priten” – shtoi ai.
Eitan Yochananof, pronar i zinxhirit të dyqaneve “Yochananof”, gjithashtu vërejti 300 për qind shtim të shitjes së ujit mineral, por theksoi se “nuk ka panik në veçanti”.
Një zyrtar i zinxhirit të dyqaneve të pajisjeve elektrike i tha gazetës “The Marker” se kishin shitur “mijëra gjeneratorë” nga fillimi i ditës.
“Çdo herë sollëm më shumë rezerva gjeneratorësh në dyqane, ata u shitën shpejt” – tha ai, duke shpjeguar se konsumatorët kishin frikë për ndërprerje të rrymës në rast të një sulmi të shënjestuar me raketë ndaj rrjetit elektrik.
Për më tepër, disa komuna lëshuan deklarata për banorët të enjten, duke u bërë thirrje që të përgatiteshin për çfarëdo skenari.
Federata për Autoritete Lokale në Izrael tha se e kishte finalizuar blerjen e 600 radio-lidhjeve për raste emergjente.
“U bëj thirrje të gjithë banorëve në mbarë vendin që t’i zbatojnë udhëzimet e Komandës Fronti i Shtëpisë [përgjegjëse për mbrojtje civile] dhe autoritetit të tyre lokale dhe kështu ne do ta trajtojmë secilin skenar që mund të vijë” – tha përmes një deklarate drejtori i kësaj federate, Haim Bibas.
Përderisa forcat izraelite janë në gjendje të lartë gatishmërie për një kundërpërgjigje të mundshme të Iranit pas vrasjes së dyshimtë të një komandanti të lartë iranian në Siri, ushtria izraelite theksoi se deri më tani nuk ka ndryshim të udhëzimeve për civilë, pasi në dyqane u vërejt shtim i shitjes së gjërave themelore në kohë lufte.
Sidoqoftë, se forcat e armatosura po e marrin shumë seriozisht mundësinë për një sulm nga Irani, në këtë përshtypje kontribuoi edhe pranimi nga ana e ushtrisë se kishte filluar t’i pengonte sinjalet e rrjetit GPS në pjesën qendrore të Izraelit si pjesë e përpjekjeve për të “neutralizuar disa rreziqe”.
Si pjesë e rritjes së gjendjes së gatishmërisë, ushtria izraelite ka thërritur në detyrë rezervistë për ta fuqizuar mbrojtjen ajrore dhe gjithashtu ua ka anuluar pushimet të gjithë ushtarëve të njësiteve luftarake.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli