Frikë për hakmarrje nga Irani, Izraeli ua anulon pushimet të gjitha njësiteve luftarake
Ushtria izraelite ua anuloi pushimet ushtarëve të të gjitha njësiteve luftarake të enjten, njoftohet përmes një deklarate, në kohën e shqetësimit për një eskalim të mundshëm të dhunës, pasi vrasja e disa gjeneralëve iranianë në Damask të Sirisë këtë javë nxiti kërcënime për hakmarrje.
“Në përputhje me vlerësimin e situatës, është vendosur që të gjitha pushimet të pauzohen përkohësisht për të gjitha njësitet luftarake të FMI-së [Forcat Mbrojtëse të Izraelit]. FMI-ja është në luftë dhe dislokimi i forcave është në vlerësim të vazhdueshëm sipas kërkesave” – thuhet në deklaratën e ushtrisë, raporton agjencia “Reuters”.
Të mërkurën, ushtria tha se kishte thërritur në shërbim rezervistë për ta fuqizuar mbrojtjen ajrore. Dëshmitarët e agjencisë “Reuters” dhe banorët e Tel-Avivit raportuan të enjten se shërbimet e GPS-së janë penguar, si duket masë e marrë për t’i shmangur raketat me drejtim.
Irani është zotuar për hakmarrje për vrasjen e dy gjeneralëve iranianë bashkë me pesë këshilltarë ushtarakë me një sulm ajror ndaj një objekti diplomatik iranian në kryeqytetin e Sirisë, Damask, të hënën.
Besohet gjerësisht se bëhet fjalë për sulm izraelit, njëri nga më domethënësit deri më tani ndaj interesave iraniane në Siri.
Izraeli as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar kryerjen e sulmit që e bart rrezikun për rritjen e mëtejme të tensioneve në rajon.