Në Odesa të Ukrainës hapen disa plazhe për herë të parë që nga fillimi i luftës - NACIONALE

Në Odesa të Ukrainës hapen disa plazhe për herë të parë që nga fillimi i luftës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa plazhe në qytetin bregdetar ukrainas, Odesa, janë hapur zyrtarisht për not për herë të parë që nga fillimi i luftës me Rusinë, edhe pse zhytja në ujë është e ndaluar gjatë sirenave të alarmit për sulme ajrore, thanë të shtunën zyrtarët lokalë.

Odesa, porti më i madh dhe baza detare më e madhe e Ukrainës, është sulmuar në mënyrë të përsëritur me raketa e dronë dhe uji ishte mbushur me qindra mina ujore pas fillimit të luftës në shkurt të vitit të kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

Për sigurinë e banorëve dhe pas incidenteve të shpërthimit të minave në plazhe, bregdeti ishte mbyllur.

Vendimi për t’i hapur plazhet është marrë në mënyrë të përbashkët nga administratat civile dhe ushtarake të qytetit, tha guvernatori Oleh Kiper. Ai njoftoi se plazhet do të jenë të hapura nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të mbrëmjes.

Oleksandri, rojë plazhi dhe ish-zhytës, i cili e dha vetëm emrin, tha se një rrjetë kundër minave është vendosur mes dy valëpritësve për ta shmangur kontaktin e mundshëm të notarëve me mina në ujë të cekët.

“Rrjeta do t’i ndalë ato dhe ato (minat) do të jenë të dukshme edhe nga bregu nën kushte të tilla të motit. Punëtorët emergjentë do të njoftohen, ata do të vijnë për t’u marrë me këtë”- tha Oleksandri.

Hapja e plazheve është vendim i mirëseardhur për pushim nga lufta për njerëzit që notojnë dhe rreziten në diell.

“Kam ëndërruar për të shkuar në plazh e për të thithur ajër të kripur. Na ka munguar shumë kjo, por siguria është prioritet kryesor”- tha Svitlana, banore e rajonit të Odesës.

Lajme të ngjashme