Në Mynih, Harrisi e Blinkeni synojnë që ta risigurojnë Evropën, përkundër Trumpit - NACIONALE

Në Mynih, Harrisi e Blinkeni synojnë që ta risigurojnë Evropën, përkundër Trumpit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ballafaqohen me një detyrë të vështirë në Konferencën e Mynihut për Siguri që nis të premten – risigurimi i aleatëve se ShBA-ja mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë së tyre.

Harrisi e Blinkeni pritet të marrin pjesë në tubimin vjetor për siguri më pak se një javë pas komenteve të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, favorit për ta fituar nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e këtij viti, se ai nuk do t’i mbronte aleatët e NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes, raporton agjencia “Reuters”.

Bideni nuk ka marrë pjesë në këtë konferencë viteve të fundit, por Harrisi pritet të mbajë një fjalim të premten që ndihmësit e kanë cilësuar të rëndësishëm për “rëndësinë e përmbushjes së rolit të ShBA-së për udhëheqësi globale” para takimit me ligjvënës amerikanë, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, e me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Me gjasë, Harrisi do të përcillet për së afërmi për aftësinë e saj për të udhëhequr, në kohën e pyetjeve për moshën e Bidenit, përderisa ai po garon për mandatin e dytë. Ai është 81 vjeç, ndërtsa Trumpi 77-vjeçar. Të dy e kanë akuzuar njëri-tjetrin për dobësim mendor.

Konferenca në Gjermani vjen kur pushtimi rus i Ukrainës ka sjellë luftë në një kontinent që ka shpenzuar dekada duke u përpjekur që të farkëtojë paqe, të nënshkruar nga zotimet e ShBA-së për sigurinë ndaj aleancës së NATO-s që Trumpi ka kërcënuar se do ta heqë qafe.

Senati i ShBA-së të martën miratoi një pako të ndihmave ushtarake me vlerë të 95,34 miliardë dollarëve për Ukrainën dhe vende të tjera, por këto fonde mund të mos hidhen kurrë në votim në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga Partia Republikane, për shkak të kundërshtimit nga Trumpi.

Bideni erdhi në pushtet më 2021 me premtimin për rivitalizimin e aleancave pas qasjes izoluese gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë në periudhën 2017 – 2021 dhe ai kryesisht ka arritur sukses në këtë qëllim, tha Rachel Rizzo nga Këshilli i Atlantikut.

Jeremy Shapiro, drejtor hulumtimesh në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, tha se ai nuk pret që Harrisi ose Blinkeni të japin ndonjë premtim në Konferencën e Mynihut për Siguri për atë se çfarë mund të bëjë një administratë e Trumpit.

“Ata do të japin një porosi të thjeshtë: ne do t’i fitojmë zgjedhjet” – tha Shapiro.

Lajme të ngjashme