Në mungesë të Trumpit, rivalët e tjerë republikanë grinden mes vete në debat - NACIONALE

Në mungesë të Trumpit, rivalët e tjerë republikanë grinden mes vete në debat

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rivalët e ish-presidentit Donald Trump në Partinë Republikane, pjesë e garës për nominim për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, u përballën me njëri-tjetrin në një debat kaotik të mërkurën, duke hedhur akuza ndaj kandidatit favorit, ndaj presidentit Joe Biden dhe ndaj njëri-tjetrit për çështje të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet me Kinën, emigrantët e ekonominë.

Megjithatë, me përfundimin e debatit, asnjëri prej shtatë kandidatëve nuk u duk se kishte siguruar ndonjë moment triumfues që do ta ndryshonte dinamikën e garës në të cilën Trumpi ka mbizotëruar me muaj, pavarësisht nga katër aktakuzat e ngritura kundër tij, të cilat pothuajse s’u përmenden fare gjatë debatit dyorësh, raporton agjencia “Reuters”.

Trumpi, i cili në sondazhin e fundit të “Reuters”-it dhe “Ipsos”-it kishte epërsi prej 37 për qind ndaj rivalit më të afërt, e shpërfilli këtë debat, njësoj siç kishte bërë me debatin e parë në Wisconsin muajin e kaluar.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e shfrytëzoi përgjigjen e tij të parë në debat për ta kritikuar Trumpin se “po mungonte në veprim” dhe për rritjen e borxhit kombëtar me triliona dollarë.

“Ai duhej të ishte në këtë skenë sonte”- tha DeSantis-i, duke nxitur duartrokitje nga audienca në bibliotekën presidenciale “Ronald Reagan” në Kaliforni. “Ai u ka borxh juve që ta mbrojë të kaluarën e tij”- shtoi guvernatori.

Ish-guvernatori i New Jersey-t, Chris Christie, kritikues i shpeshtë i Trumpit, u përfshi në kritika, duke thënë se ish-presidenti ishte i frikësuar dhe u tall me të, duke e quajtur “Donald Duck” për shkak të shpërfilljes së debatit.

Mike Pence, i cili ishte nënpresident i ShBA-së gjatë pushtetit të Trumpit në periudhën 2017 – 2021, shprehu një kritikë të butë ndaj dëshirës së Trumpit për ta centralizuar pushtetin në qeverinë federale, duke u zotuar se do t’ua kthente kompetencat shteteve të ShBA-së.

Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha se Trumpi ka marrë pozicion të gabuar ndaj Kinës, duke u përqendruar ekskluzivisht në tregti e jo në çështje më të gjera të sigurisë.

Të gjithë kandidatët në debat u zotuan për qasje më të fuqishme ndaj migrimit dhe e sulmuan administratën e presidentit Biden për dështim në trajtimin e krizës me emigrantë, e cila ka nxitur numër rekord të kalimit ilegal të kufirit jugor të ShBA-së.

Kur kanë mbetur më pak se katër muaj deri te gara për nominim në Iowa, rivalëve të Trumpit u ka mbetur pak kohë për ta dobësuar epërsinë e tij në fushatë.

Lajme të ngjashme