Në Gjermani nis gjykimi ndaj tetë të akuzuarve për planifikim puçi kundër shtetit - NACIONALE

Në Gjermani nis gjykimi ndaj tetë të akuzuarve për planifikim puçi kundër shtetit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tetë anëtarë të dyshuar të grupit gjerman të së djathtës ekstreme, Reichsbürger, pritet të dalin në gjyq nën akuzën për komplot për rrëzimin e dhunshëm të sistemit shtetëror.

Të pandehurit, në mesin e të cilëve janë një kuzhinier dhe një astrolog, akuzohen se kishin shërbyer si këshill udhëheqës i komplotit, thonë prokurorët, dhe planifikonin që të bëheshin kabinet në pritje, nëse plani i grupit për ta sulmuar ndërtesën e Kuvendit dhe për ta rrëzuar Qeverinë do të realizohej me sukses, raporton gazeta “The Guardian”.

Ata janë ngarkuar me akuzat për anëtarësi në një organizatë terroriste dhe përgatitje të aktit të tradhtisë së lartë kombëtare. Sipas prokurorëve, ky grup kishte plane për ta rrëmbyer kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe për ta nxjerrë atë në paradë në televizion me shpresën se do të siguronin më shumë ndjekës të kauzës së tyre.

Gjykimi në Mynih do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, përderisa vendi po ballafaqohet me frikë nga rritja e mbështetjes për të djathtën ekstreme pas sukseseve të saj rishtazi në zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe pas një vargu arrestimesh që përfshinin persona të akuzuar në incidente të ndara për spiunim për Rusinë dhe Kinën.

Në qendër të komplotit të dyshimtë është princi Heinrich XIII, pseudo-aristokrat dhe agjent i patundshmërive, të cilin grupi synonte ta emëronte udhëheqës të përkohshëm. Ai është në gjykim në Frankfurt bashkë me disa të tjerë, që cilësohen si ndër udhëheqësit e rrethit.

Avokatët mbrojtës në këto raste kanë mohuar se të akuzuarit janë terroristë dhe kanë sugjeruar se ata janë mbështetës të teorive konspirative, që e kanë gjetur njëri-tjetrin falë kundërshtimit ndaj kufizimeve në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Komploti i dyshimtë ishte zbuluar së pari në publik përmes një vargu të bastisjeve anti-terroriste në 11 shtete gjermane si dhe jashtë vendit në dhjetor të vitit 2022 pas një hetimi të fshehtë nga policia.

Lajme të ngjashme