“Në garë me kohën”: Franca, Polonia dhe Estonia kërkojnë më shumë investime në mbrojtje
Franca, Polonia dhe Estonia kanë lëshuar një thirrje që “urgjentisht” të ngrihet gatishmëria e mbrojtjes e Evropës.
Në një dokument që e ka parë gazeta “The Guardian”, këto tri shtete i nënvizuan prioritetet e tyre për Strategjinë e re Industriale Evropiane të Mbrojtjes.
“Ne duhet të sigurohemi që ambicia e Strategjisë është në përputhje dhe e mbështetur nga veprime konkrete që e përkrahin aftësinë tonë luftarake” – thuhet në dokument, ku shtohet: “Ne jemi në garë kundër kohës.”
Franca, Polonia dhe Estonia thanë se qëllimet e kësaj strategjie duhet të jenë:
- Përmirësimi i kapacitetit afatgjatë të industrisë së mbrojtjes të BE-së për t’i plotësuar nevojat e forcave të armatosura, për ta zvogëluar varësinë dhe për ta fuqizuar aftësinë për shtimin e prodhimit shpejt në kohë krizash;
- Mbështetja e një rritjeje themelore të nivelit të rezervave të municionit vendimtar për beteja në rezervat e shteteve anëtare, disponueshmëria e sistemeve kyçe të armëve dhe kapaciteteve të tjera në të gjitha domenet;
- Fuqizimi i konkurrueshmërisë së BE-së dhe të vendeve anëtare në teknologji dhe inovacion (ushtarak dhe dypërdorimësh);
- Forcimi i bashkëpunimit dhe inkurajimi i pjesëmarrjes së Ukrainës në nismat e saj industriale të mbrojtjes.
Të tria shtetet paralajmëruan edhe për nevojën për financim të mjaftueshëm për qëllimet ambicioze.
“Ne i bëjmë thirrje Komisionit (Evropian) që të paraqesë opsione konkrete të financimit, sidomos për periudhën deri tek i ardhshmi (buxheti afatgjatë i BE-së). Financimi jo i duhur tani do të nënkuptojë vetëm shpenzime më të larta më vonë” – thanë Franca, Polonia dhe Estonia.