Ndihmat e ShBA-së për Ukrainën e Izraelin në dyshim pas paralajmërimit të kryetarit të Dhomës
Mundësitë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të miratojë ndihma të reja për Ukrainën e asistencë ushtarake për Izraelin u përkeqësuan të premten, pasi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është anëtar i Partisë Republikane në opozitë, tha se me gjasë nuk do të përkrahte një marrëveshje që është në bisedime në Senat e që konsiderohet jetike për zhbllokimin e fondeve.
Një grup dypartiak i senatorëve për disa javë janë duke u munduar që të arrijnë një marrëveshje për të zbatuar politika më të ashpra ndaj imigrantëve dhe për ta kufizuar numrin e atyre që arrijnë në kufirin jugor me Meksikën, shifër që është rritur gjatë mandatit të presidentit Joe Biden, raporton gazeta “The Guardian”.
Republikanët e kanë bërë miratimin e këtij legjislacioni kusht për miratimin e ndihmave për Ukrainën, qëndrimin ndaj së cilës e kanë ftohur ligjvënësit djathtistë dhe kur ish-presidenti Donald Trump, që ka qenë i luhatshëm për dërgimin e armëve në Kiev, po i afrohet fitores brenda Partisë Republikane për t’u nominuar si kandidat për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Përderisa hollësitë e legjislacionit që po diskutohet për imigrantët nuk janë publikuar ende, Johnsoni u tha kolegëve të tij republikanë në një letër se “nëse janë të vërteta thashethemet për përmbajtjen e draft-propozimit, ai do të ishte i vdekur që në fillim në Dhomë [të Përfaqësuesve] edhe ashtu”.
Duke e theksuar ashpërsinë e tij për këtë temë, Johnsoni e përsëriti kërkesën e vet që Senati me shumicë të senatorëve demokratë ta votojë Aktin për Sigurimin e Kufirit, propozim i skajshëm që në thelb do ta ringjallte politikën e Trumpit për imigrantët përmes rikthimit të ndërtimit të një muri në kufirin me Meksikën dhe do t’i detyronte azilkërkuesit që të prisnin në atë shtet përderisa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.
Ai gjithashtu njoftoi se Dhoma e Përfaqësuesve do të lëvizë përpara me planin e saj për ta hetuar sekretarin e Sigurisë së Atdheut, Alejandro Mayorkas, të cilin republikanët e kanë akuzuar për keqmenaxhim të sigurisë kufitare.
Kërkesat e kryetarit Johnson hedhin edhe më shumë dyshim mbi aftësinë e Kongresit për të gjetur një zgjidhje rreth reformimit të sistemit të imigrimit, që me vite ka qenë njëra nga problemet më të vështira në Uashington, si dhe për të mbështetur dy shtete – Ukrainën e Izraelin - që administrata e Bidenit i konsideron prioritete të sigurisë kombëtare.