Ndalet rrjedhja e naftës ruse drejt Hungarisë e Sllovakisë pas sulmit ukrainas
Rrjedhja e naftës së papërpunuar ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë përmes naftësjellësit “Druzhba” u ndal të hënën, thanë zyrtarët në dy vendet e Evropës Qendrore. Hungaria fajësoi për këtë situatë një sulm ukrainas ndaj një pjese të rrjetit.
Ukraina i ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, burim kyç i të hyrave për luftën e Kremlinit. Shitjet e naftës dhe gazit përbëjnë çerekun e të hyrave të përgjithshme buxhetore të Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, as nuk e konfirmoi e as nuk e mohoi sulmin e fundit, por në rrjetin X tha se Hungaria “tani mund të dërgojë ankesa” në Moskë, jo në Kiev.
Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të BE-së, Hungaria e ak ruajtur varësinë nga energjia ruse që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Budapesti e importon shumicën e naftës së papërpunuar përmes naftësjellësit “Druzhba”, i cili kalon nëpër Bjellorusi e Ukrainë për në Hungari e Sllovaki.
Rrjedhja e naftës në naftësjellësin e ndërtuar në periudhën sovjetike gjithashtu ishte pezulluar për pak kohë në mars pas një sulmi ukrainas ndaj një stacioni të matjes.
Sipas të dhënave qeveritare ruse, Rusia dërgoi në Hungari përmes naftësjellësit “Druzhba” 4,78 milionë tonë ose rreth 95 mijë fuçi naftë në ditë vitin e kaluar.