NBC: “Assho*e” - Bideni i frustruar me Netanyahun, e ka fyer disa herë në biseda private - NACIONALE

NBC: “Assho*e” - Bideni i frustruar me Netanyahun, e ka fyer disa herë në biseda private

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Televizioni i njohur amerikan, NBC, raporton se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, e ka shprehur zemërimin e tij në biseda private rishtazi, disa prej të cilave me donatorë të fushatës së tij, për paaftësinë e vet që ta bindë Izraelin për t’i ndryshuar taktikat ushtarake në Gaza, dhe e ka cilësuar kryeministrin Benjamin Netanyahu si pengesë kryesore, sipas pesë personave me njohuri të drejtpërdrejta për komentet e tij.

Bideni ka thënë se po mundohet që ta bindë Izraelin për një armëpushim, por Netanyahu “po ia jep ferrin” dhe është e pamundshme që të merret njeriu me të, thanë personat që kanë njohuri për komentet e Bidenit dhe që kërkuan të mos u publikohen emrat, raporton “NBC News”.

“Atij thjesht i duket që kjo është mjaft. Duhet të ndalet” – tha njëri nga personat për pikëpamjet e paraqitura nga presidenti amerikan.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë javëve të fundit ka folur privatisht për Netanyahun, politikan që e njeh për një kohë të gjatë, në mënyrë të sinqertë dhe i ka befasuar disa nga ata që ia kanë dëgjuar komentet, thanë njerëzit me njohuri për këto biseda. Thuhet se Bideni i është referuar Netanyahut edhe me shprehjen përbuzëse, “ky djali”, thanë personat e afërt me këto komente.

E në të paktën tri raste, Bideni e ka quajtur Netanyahun trap (“assho*le), sipas tre persona që kanë drejtpërdrejt njohuri për komentet e presidentit amerikan.

Kur u pyet për komentet private të Bidenit për Netanyahun, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha në një deklaratë se dy udhëheqësit kanë marrëdhënie respektuese. “Presidenti ka qenë i qartë se ku nuk pajtohet me kryeministrin Netanyahu, por kjo është marrëdhënie e gjatë me dekada dhe është respektuese publikisht e privatisht” – tha zëdhënësi amerikan.

Që nga përqafimi me Netanyahun gjatë një vizite në Izrael pas sulmit të Hamasit që la 1.200 të vrarë më 7 tetor, Bideni është bërë gjithnjë më i zemëruar për shkak të rritjes së numrit të viktimave civile palestineze në Gaza, që tash raportohet se është rreth 28 mijë, si dhe me ngurrimin e Netanyahut për të ndjekur një marrëveshje afatgjate të paqes.

Lajme të ngjashme