“Nazistë? Jo, faleminderit”: Gjermanët dalin rrugëve për ta kërkuar ndalimin e AfD-së - NACIONALE

“Nazistë? Jo, faleminderit”: Gjermanët dalin rrugëve për ta kërkuar ndalimin e AfD-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Protestat kundër partisë gjermane të së djathtës ekstreme, AfD, po fitojnë momentum pas një raportimi se dy zyrtarë të lartë të saj morën pjesë në një takim për t’i diskutuar planet rreth dëbimit masiv të qytetarëve me prejardhje të huaj.

Përderisa kjo parti për një kohë të gjatë ka qenë kundër imigrantëve, propozimet që “qytetarët e paasimiluar” të dëbohen në një “shtet model në Afrikë Veriore”, për të cilat raportoi portali “Correctiv”, kanë prekur një nerv në Gjermani. Disa i kanë krahasuar këto propozime me planin fillestar të nazistëve për t’i dëbuar hebrenjtë evropianë në shtetin e largët ishullor të Afrikës, Madagaskar.

“Vija është kapërcyer moti”- tha protestuesi Stephan Kalsh gjatë një proteste në Këln të martën në mbrëmje, ku shumë protestues bënë thirrje që partia AfD [Alternative für Deutschland – Alternativa për Gjermaninë] të ndalohet, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo ishte protesta më e re në një varg tubimesh në mbarë vendin që kanë tërhequr dhjetëra mijëra njerëz që nga raportimi i portalit “Correctiv” javën e kaluar. Në disa prej protestave kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë, përfshirë kancelarin Olaf Scholz dhe kryediplomaten Annalena Baerbock.

AfD-ja, e cila në anketa po del e dyta, ka mohuar se propozimet për të cilat është raportuar janë politikë e partisë. Njëra nga dy kryetarët e partisë, Alice Weidel, e shkarkoi njërin nga këshilltarët që mori pjesë në bisedime.

Prapëseprapë, shefi i agjencisë gjermane për inteligjencë të brendshme, Thomas Haldenwang, ka paralajmëruar për lëvizje ekstremiste brenda AfD-së, e cila është nën vëzhgim nga organet e sigurisë.

Raportimet për planet e diskutuara kanë nxitur reagime të gjera nga udhëheqës politikë e të sigurisë. Kancelari Scholz u ka bërë thirrje demokratëve që të dalin kundër “fanatikëve” të së djathtës ekstreme, ndërsa Haldenwangu ka bërë thirrje që “shumica e heshtur” të zgjohet.

Nga Gjermania vijnë fotografi të mijëra qytetarëve në mot të ftohtë duke protestuar kundër AfD-së në qytete në mbarë vendin.

Të premten e kaluar, në një protestë të mbajtur në Berlin, në disa pankarta shkruhej “Nazistë? Jo, faleminderit”, “Duket si viti 1933, AfD-ja të ndalohet tani!” dhe “Hetojeni ndalimin e AfD-së”.

Protesta të tjera janë planifikuar për të mërkurën më vonë në Berlin dhe për të premten në Hamburg.

Lajme të ngjashme