Navalny është i vdekur, konfirmon zëdhënësja e tij
Kira Yarmysh, zëdhënësja e opozitarit të burgosur rus, Alexei Navalny, të shtunën konfirmoi se ai është i vdekur, duke cituar një njoftim zyrtar që i është dhënë nënës së tij, Lyudmila.
“Ne kërkojmë që trupi i Alexei Navalny-t t’i jepet familjes së tij menjëherë” – tha zëdhënësja, raporton agjencia “Reuters”.
Duke shkruar në rrjetin X, ajo shtoi se Navalny kishte vdekur në orën 14 e 17 minuta sipas zonës kohore lokale të premten, sipas njoftimit që i është dhënë nënës së Navalny-t.
Trupi i tij është dërguar në Salekhard, qytezë afër kompleksit të burgut, nga hetuesit rusë, të cilët ishin duke kryer “hulumtim”, shtoi zëdhënësja.
Nëna e Navalny-t, Lyudmila, shkoi në burg të shtunën, ku po mbahej djali i saj, e shoqëruar nga avokati i tij, raportoi gazeta ruse “Novaya Gazeta”.
Burgu IK-3 ndodhet në Qarkun e Arktikut, rreth një orë vozitje me veturë larg qytezës Salekhard, kryeqytet i distriktit autonom, Yamalo-Nenets.