“Natyrisht”: Trumpi kërcënon me tarifa të reja pas masave hakmarrëse nga BE-ja e Kanadaja - NACIONALE

“Natyrisht”: Trumpi kërcënon me tarifa të reja pas masave hakmarrëse nga BE-ja e Kanadaja

5 ditë më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar për vendosjen e më shumë tarifave ndaj vendeve të tjera, pasi vendimi i tij i fundit për t’u vendosur taksa importi çelikut dhe aluminit që hyjnë në ShBA nxiti tarifa hakmarrëse nga Bashkimi Evropian dhe Kanadaja.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se “natyrisht” që do t’u kundërpërgjigjet kundërmasave të BE-së e fqinjit verior të ShBA-së, duke e përsëritur paralajmërimin e tij për njoftimin e tarifave “reciproke” muajin e ardhshëm ndaj shteteve përreth botës, raporton televizioni BBC.

“Me çfarëdo që na ngarkojnë ata ne, ne do t’i ngarkojmë ata” – tha presidenti miliarder.

Kërcënimi i tij shënoi një eskalim tjetër të një lufte tregtare që i ka trazuar tregjet financiare mes shqetësimeve për ndikimin e tarifave të reja ndaj ekonomive dhe konsumatorëve në shumë shtete të botës, përfshirë ShBA-në.

Të mërkurën, Trumpi e zbatoi planin për zgjerimin e tarifave amerikane ndaj çelikut dhe aluminit, duke vendosur taksë prej 25 për qind dhe duke u dhënë fund përjashtimeve që ShBA-ja më parë i kishte ofruar për dërgesat nga disa shtete.

Më herët këtë muaj, Shtetet e Bashkuara lëshuan urdhër për rritjen e tarifës ndaj importeve kineze në të paktën 20 për qind.

Udhëheqës të Kanadasë e Evropës i cilësuan taksat e reja amerikane ndaj metaleve si të pajustifikueshme dhe u kundërpërgjigjën në të njëjtën formë kundër një vargu të produkteve të ShBA-së.

Shtete të tjera, të cilat janë furnizuese kyçe të ShBA-së me metale, përfshirë Britaninë, Australinë, Meksikën e Brazilin, u përmbajtën nga hakmarrja e menjëhershme./Nacionale

Lajme të ngjashme