NATO-ja zotohet për ta ndihmuar Ukrainën “aq gjatë sa të nevojitet” - NACIONALE

NATO-ja zotohet për ta ndihmuar Ukrainën “aq gjatë sa të nevojitet”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

NATO-ja është e përkushtuar për ta ndihmuar Ukrainën që ta mbrojë veten kundër Rusisë “aq gjatë sa të nevojitet” dhe do ta ndihmojë vendin e goditur nga lufta për t’i transformuar forcat e armatosura në ushtri moderne me standarde perëndimore, o zotua të premten sekretari i përgjithshëm i kësaj aleance, Jens Stoltenberg.

Duke folur para gazetarëve para një takimi të ministrave të NATO-s në Rumani javën e ardhshme, Stoltenbergu u bëri thirrje vendeve që dëshirojnë ta ndihmojnë Ukrainën, qoftë veç e veç, qoftë në grupe, që t’i dhurojnë këtij vendi sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë të tjera. NATO-ja si organizatë nuk jep armë.

“NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën aq gjatë sa të nevojitet. Nuk do të zmbrapsemi. Aleatët janë duke ofruar përkrahje të pashembullt dhe pres që ministrat e jashtëm gjithashtu do të pajtohen për ta shtuar përkrahjen jovdekjeprurëse”- tha sekretari i NATO-s.

Ai shtoi se vendet e aleancës kanë dhuruar derivate, gjeneratorë, prodhime mjekësore, pajisje për dimër e për bllokimin e dronëve, por se më shumë do të nevojitet me ardhjen e dimrit, sidomos kur Rusia po e sulmon infrastrukturën e energjisë, raporton agjencia “Associated Press”.

“Në takimin tonë në Bukuresht, unë do të bëj thirrje për më shumë. Në rrafshin afatgjatë, ne do ta ndihmojmë Ukrainën që ta bëjë tranzicionin nga pajisjet e periudhës sovjetike te standardet, doktrina dhe trajnimet moderne të NATO-s”- shtoi Stoltenbergu.

Ai njoftoi se ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, do të marrë pjesë në takimin e ministrave të vendeve të NATO-s për të diskutuar rreth nevojave më urgjente të vendit të tij, por edhe për atë se çfarë lloji të përkrahjes afatgjate mund të ofrojë NATO-ja. Stoltenbergu tha se kjo përkrahje do ta ndihmojë Ukrainën që të lëvizë drejt anëtarësimit në aleancë një ditë.

Sidoqoftë, takimi i 29 dhe 30 nëntorit në Bukuresht mbahet gati 15 vjet pas premtimit të NATO-s se Ukraina dhe Gjeorgjia një ditë do të bëhen anëtare të kësaj organizate. Ky premtim e kishte zemëruar fort Rusinë.

Lajme të ngjashme