NATO-ja pritet ta anashkalojë edhe sot thirrjen e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë - NACIONALE

NATO-ja pritet ta anashkalojë edhe sot thirrjen e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka shumë pak gjasa që NATO-ja ta marrë parasysh thirrjen e Ukrainës që këtij shteti t’i dërgohet ftesë për anëtarësim në një takim të martën, sipas diplomatëve, duke e goditur shpresën e Kievit për fuqizim politik në kohën kur po ballafaqohet me vështirësi në fushën e betejës dhe po e pret rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Në një letër dërguar homologëve të vendeve të NATO-s para takimit, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se një ftesë do ta hiqte njërin nga argumentet kryesore të Rusisë për zhvillimin e luftës, më saktësisht parandalimin e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën ushtarake, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, nuk ka shenja të konsensusit të kërkuar në mesin e 32 shteteve anëtare të NATO-s për një vendim të tillë në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, thanë diplomatët, duke folur në kushte anonimiteti.

“Do të nevojiten javë e muaj për ta siguruar konsensusin. Unë nuk e shoh këtë duke ndodhur tani, do të isha shumë i befasuar” – tha të hënën një diplomat i lartë i NATO-s.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se takimi do të përqendrohet në shtimin e përkrahjes për Ukrainën në mënyrë që vendi të jetë në pozicionin më të fuqishëm të mundshëm vitin e ardhshëm, “duke hyrë në bisedime të mundshme”.

“Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që të shtohen paratë, municionet dhe mobilizimi” – tha zyrtari amerikan, duke folur në kushte anonimiteti.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, të hënën njoftoi një pako të re armësh për Ukrainën me vlerë të 725 milionë dollarëve.

Ukraina e sheh anëtarësimin në NATO si garancinë më të mirë për sigurinë e vet në të ardhmen. Sipas Nenit 5 të paktit të NATO-s për mbrojtje të përbashkët, shtetet anëtare pajtohen se një sulm ndaj njërit anëtar është si sulm ndaj të gjithëve dhe duhet t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, la të kuptohej të premten në një intervistë se vendosja e territorit të kontrolluar aktualisht nga Ukraina “nën ombrellën e NATO-s” do ta ndalte “fazën e nxehtë” të luftës.

Komentet e tij erdhën në kohën kur Ukraina ballafaqohet me dimër të vështirë në fushën e betejës, pasi forcat ruse po avancojnë në lindje, ndërsa në shënjestër të sulmeve ajrore të Rusisë është rrejti i dëmtuar energjetik i Ukrainës./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme