NATO-ja po përballet me mungesë të municionit kritik për Ukrainën - NACIONALE

NATO-ja po përballet me mungesë të municionit kritik për Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po kanë vështirësi për t’ia ofruar Ukrainës sasinë e madhe të municionit që do t’i nevojitet për një kundërsulm të gjatë kundër Rusisë dhe zyrtarët perëndimorë po nguten që ta shtojnë prodhimin për ta shmangur mungesën e municionit në fushën e betejës, që do të mund ta pengonte përparimin e Ukrainës.

Furnizimi në tkurrje e sipër me municion artilerie ka shërbyer si thirrje zgjimi për NATO-n, i thanë televizionit CNN disa zyrtarë të ShBA-së dhe NATO-s, pasi aleanca nuk ishte përgatitur në mënyrën e duhur për mundësinë e një lufte të zgjatur tokësore në Evropë pas disa dekadave të qetësisë relative.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, tha javën e kaluar se përderisa NATO-ja më herët ishte përqendruar në ofensivën me faza “nata e parë, dita e parë”, “askush nuk ia kishte bërë vërtet pyetjen vetes: Mirë, çfarë nëse “dita e parë, nata e parë” bëhen “java e dytë, java e tretë, java e katërt”? Sa kemi në të vërtetë aftësi tona rezervë? Mendoj se kjo ka qenë pyetja më e gjerë."

Zyrtarët amerikanë theksuan se ekziston një nivel i caktuar i municioneve në rezervat e Shteteve të Bashkuara përreth botës, në thelb rezerva urgjente, nga të cilat ushtria amerikane nuk dëshiron që të ndahet. Niveli i këtyre rezervave është informatë e klasifikuar.

Megjithatë, zyrtarët thonë se ShBA-ja ka qenë duke iu afruar vijës së kuqe, përderisa ka vazhduar që ta furnizojë Ukrainën me municion 155-milimetërsh. ShBA-ja nisi që ta shtonte prodhimin e municionit, kur u bë e qartë se lufta do të zgjaste shumë më shumë se aq sa ishte vlerësuar. Sidoqoftë, zëdhënësi amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha të dielën se do të nevojiten vite për të prodhuar municion në mënyrë masive në nivele të pranueshme.

Një burim i qeverisë gjermane i tha televizionit CNN se Berlini ka bërë hapa për ta zvogëluar mungesën e rezervave të municionit dhe për t’i shtuar rezervat, duke theksuar se municioni për tanket “Gepard”, të prodhuara në Zvicër e që i janë dhuruar Ukrainës, tash është duke u prodhuar në Gjermani.

Lajme të ngjashme