NATO-ja duhet ta rrisë mbrojtjen ajrore e raketore për 400 për qind, pritet të thotë Rutte
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të shfrytëzojë një fjalim në Londër të hënën për të thënë se aleanca ushtarake ka nevojë që ta rrisë mbrojtjen ajrore e raketore për 400 për qind, njëra nga prioritetet në samitin e vendeve anëtare në Hagë më vonë këtë muaj.
Rutte po u bën thirrje shteteve të NATO-s që shpenzimet e mbrojtjes t’i çojnë në 3,5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) dhe të zotohen edhe për 1,5 për qind shtesë për shpenzime më të gjera të lidhura me sigurinë në mënyrë që të përmbushet kërkesa e presidentit amerikan, Donald Trump, për 5 për qind të GDP-së në mbrojtje. Muajin e kaluar, ai tha se supozon që për cakun e ri të shpenzimeve do të arrihet marrëveshje në samitin që do të mbahet më 24 e 25 qershor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sekretari Rutte do të argumentojë në fjalimin që do ta mbajë në Chatham House në Londër se NATO-ja ka nevojë për “400 për qind rritje në mbrojtje ajrore e raketore”, në mënyrë që të vazhdojë të ketë mbrojtje dhe frenim të besueshëm.
“Shohim në Ukrainë se si Rusia shpërndan terror nga lart, prandaj ne do ta forcojmë mburojën që e mbron qiellin tonë” – pritet të deklarojë Rutte, sipas ekstrakteve të fjalimit të tij që janë ofruar nga zyra e vet.
“Fakti është që neve na duhet një hap sasior në mbrojtjen tonë kolektive. Fakti është që ne duhet të kemi më shumë forca dhe kapacitetet për t’i zbatuar planet tona të mbrojtjes plotësisht. Fakti është që rreziku nuk do të zhduket, as kur lufta në Ukrainë të ketë përfunduar” – pritet të thotë më tej Rutte.
Kur luftimet në Ukrainë nuk po qetësohen pavarësisht nga thirrjet për armëpushim, shtetet evropiane janë nën presion për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes, pasi Trumpi sinjalizoi ndryshim të politikave, duke e shtyrë rajonin që ta mbrojë më mirë veten.
Disa shtete thonë se janë duke bërë një gjë të tillë. Britania është zotuar që shpenzimet e mbrojtjes t’i rrisë nga 2,3 në 2,5 për qind të GDP-së deri më 2027, ndërsa në 3 për qind më vonë. Gjermania ka thënë se do t’i duhen 50.000 deri në 60.000 ushtarë aktivë shtesë sipas synimeve të reja të NATO-s./Nacionale