NATO-ja do t’i shtojë përpjekjet kundër akteve ruse e kineze të sabotimit - NACIONALE

NATO-ja do t’i shtojë përpjekjet kundër akteve ruse e kineze të sabotimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

NATO-ja do ta shtojë shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës dhe do ta përmirësojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike përballë akteve “armiqësore” të sabotimit kundër aleatëve nga Rusia dhe Kina, tha të martën sekretari i Përgjithshëm i aleancës veriatlantike, Mark Rutte.

“Gjatë viteve të fundit, Rusia dhe Kina janë munduar që t’i destabilizojnë vendet tona me akte sabotimi, sulme kibernetike, dezinformata dhe shantazh energjetik për të na frikësuar” – tha Rutte para gazetarëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë që të qëndrojnë bashkë për t’u ballafaquar me këto rreziqe përmes një vargu të masave, përfshirë shkëmbimin më të madh të të dhënave të inteligjencës dhe mbrojtjen më të mirë të infrastrukturës kritike” – shtoi ai.

Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s, që do të grumbullohen këtë javë në Bruksel, pritet të nxjerrin një strategji të re për t’iu kunërvënë rreziqeve hibride – term që i mbulon propagandën, ndërhyrjet politike, mashtrimin, sabotimin e infrastrukturës kyçe dhe taktika të tjera përtej domenit ushtarak konvencional.

“Është një fushatë e pandërprerë, e vazhdueshme hibride që po ndodh kundër aleatëve të NATO-s” – tha para gazetarëve të martën një zyrtar i lartë i NATO-s.

Duke folur në kushte anonimiteti, ky zyrtar i përmendi “një apetit të rritur rus për rrezik, kur bëhet fjalë për sabotim për dëm fizik dhe rrezikun ndaj jetës së njerëzve brenda vendeve tona”.

Zyrtarët perëndimorë të sigurisë kanë thënë se zjarret në depot e korrierëve në Britani, Gjermani dhe Poloni në korrik ishin pjesë e një testi për një komplot rus për të shkaktuar shpërthime në fluturimet e aeroplanëve të mallrave drejt Shteteve të Bashkuara./Nacionale

Lajme të ngjashme