NATO-ja do të ndërtojë komandë tokësore në Finlandë, afër Rusisë
NATO-ja vitin e ardhshëm do të ndërtojë një komandë të re tokësore në Finlandë, afër kufirit me Rusinë. Komanda e re do të jetë e ngarkuar me detyrën e udhëheqjes së operacioneve të forcave tokësore të Aleancës në Evropën Veriore në rast të një konflikti ushtarak, tha të premten ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen.
Finlanda u anëtarësua në NATO vitin e kaluar, si kundërpërgjigje ndaj fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022 dhe është duke e organizuar praninë e aleancën në territorin e vet, raporton agjencia “Reuters”.
Qendra që NATO-ja e quan Komanda Multi Përbërëse Tokësore e Trupave, do të operojë nën Komandën e Përbashkët “Norfolk” të Forcave me seli në ShBA dhe së bashku me komandën e forcës tokësore të Finlandës që tashmë ndodhet në Mikkeli, rreth dy orë vozitje me veturë larg kufirit ruso-finlandez.
Ministri Hakkannen, duke folur në një konferencë për gazetarë, tha se njësia fillimisht do të ketë buxhet vjetor prej 8,5 milionë eurosh dhe do të përbëhet nga disa dhjetëra zyrtarë ndërkombëtarë.
Më herët këtë muaj, Finlanda dhe Suedia fqinje, që gjithashtu u bë pjesë e aleancës këtë vit, thanë se Suedia do t’i bashkërendonte trupat e huaja të NATO-s dhe ushtrimet ndërkombëtare në pjesën veriore të Finlandës.
Megjithatë, Helsinki nuk e synon llojin e njëjtë të forcës së përhershme shumëkombëshe që është dislokuar, për shembull, në vendet baltike, duke e marrë parasysh madhësinë e konsiderueshme të forcave finlandeze.
Duke folur në të njëjtën konferencë për gazetarë të premten, komandanti i ushtrisë finlandeze, Pasi Valimaki, tha se fusha gjeografike e veprimit për njësinë e re do të vendoset në një datë të mëvonshme, por fillimisht ajo do ta mbikëqyrë planifikimin e operacioneve të forcës tokësore në rajonin nordik./Nacionale