Nandi-Ndaitwah - Namibia zgjedh për herë të parë një grua për presidente - NACIONALE

Nandi-Ndaitwah - Namibia zgjedh për herë të parë një grua për presidente

1 vit më parë

nga NACIONALE

Namibia e zgjodhi për herë të parë për presidente një grua, pasi nënpresidentja Netumbo Nandi-Ndaitwah u shpall të martën fituese e zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar, të njollosura nga problemet teknike që shkaktuan zgjatje treditore të hedhjes së votave, ndërsa nga partitë opozitare u cilësuan si të paligjshme.

Zonja 72-vjeçare fitoi 57 për qind të votave, duke i rrëzuar parashikimet se ajo mund të detyrohet që të shkojë në balotazh, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Partia e saj, SWAPO, gjithashtu e ruajti shumicën parlamentare, edhe pse me margjinë shumë të ngushtë, dhe e zgjati qëndrimin 34-vjeçar në pushtet që nga koha kur shteti afrikan e fitoi pavarësinë nga Afrika e Jugut më 1990.

Namibia, shtet me dendësi të vogël të popullsisë prej rreth 3 milionë njerëzish, shtrihet në jugperëndim të Afrikës dhe ka reputacion si njëra nga demokracitë më stabile, prandaj problemet me procesin zgjedhor kanë shkaktuar tronditje.

Zgjedhjet e të mërkurës së kaluar u njollosën nga mungesa e fletëvotimeve dhe probleme të tjera që i detyruan zyrtarët zgjedhorë që ta vazhdonin afatin për votim deri të shtunën. Partitë opozitare kanë thënë se zgjatja e afatit të votimit është antikushtetues dhe disa janë zotuar se do të bëhen bashkë në një nismë ligjore për t’i bërë zgjedhjet të pavlefshme.

Komisioni Zgjedhor i Namibisë, që i ka organizuar zgjedhjet, i ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për rivotim.

Zonja Nandi-Ndaitwah pritet të bëhet presidentja e pestë në historinë e vendit dhe një udhëheqëse e rrallë grua në Afrikë. Ajo ka qenë anëtare e lëvizjes ilegale për pavarësi në vitet e shtatëdhjeta dhe një pjesë të shkollimit të lartë e ka kryer në ish-Bashkimin Sovjetik.

Ajo ishte ngritur në detyrën e nënpresidentes në shkurt, pasi presidenti Hage Geingob vdiq. Nangolo Mbumba, i cili u bë president pas vdekjes së Geingobit, nuk mori pjesë në zgjedhjet presidenciale.

Partia SWAPO ka fituar 51 ulëse në zgjedhjet parlamentare, duke e kaluar për pak pragun e nevojshëm prej 49 deputetësh për ta ruajtur shumicën./Nacionale

Lajme të ngjashme