Musku e përkrah të djathtën ekstreme gjermane: Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë
Miliarderi amerikan, i cili pritet të bëhet pjesë e administratës së re të presidentit të zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, si këshilltar i jashtëm, ndërhyri në fushatën zgjedhore të Gjermanisë të premten, duke thënë se vetëm partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), mund ta shpëtojë ekonominë më të madhe të Evropës.
AfD-ja po del e dyta në sondazhe dhe mund të jetë në gjendje që të pengojë qoftë një shumicë të qendrës së djathtë, qoftë një shumicë të qendrës së majtë, por partitë tradicionale janë zotuar se nuk do ta pranojnë mbështetjen nga AfD-ja në nivel kombëtar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zgjedhjet e parakohshme në Gjermani pritet të mbahen më 23 nëntor, pasi koalicioni i qendrës së majtë, i udhëhequr nga koalicioni Olaf Scholz, u shemb.
“Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë” – shkroi Musku në rrjetin X. Njeriu më i pasur në botë tashmë ka shprehur mbështetje edhe për parti të tjera që janë kundër imigrantëve në pjesë të ndryshme të Evropës.
Only the AfD can save Germany https://t.co/Afu0ea1Fvt
— Elon Musk (@elonmusk) December 20, 2024
Qeveria e Gjermanisë tha se e ka vërejtur postimin e Muskut, por refuzoi që të jepte ndonjë koment të mëtejmë në konferencën e rregullt për gazetarë.
Musku ripublikoi një porosi nga influencerja gjermane e së djathtës ekstreme, Naomi Seibt, e cila e kritikoi kandidatin e konservatorëve për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz, grupi i të cilit po prin në sondazhe.
Mattias Miersch, sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate të kancelarit Scholz, tha se Gjermania nuk ka nevojë për ndikime të jashtme ose “Trumpizëm”, duke shtuar: “Rri jashtë, Elon.”
Musku tashmë kishte shprehur mbështetje për AfD-në edhe vitin e kaluar, kur e sulmoi menaxhimin e migrimit të paligjshëm nga Qeveria e Gjermanisë./Nacionale