Musk-u thotë se ka emëruar një shefe të re të “Twitter”-it - NACIONALE

Musk-u thotë se ka emëruar një shefe të re të “Twitter”-it

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Miliarderi amerikan, Elon Musk, ka thënë se ka gjetur një person për ta emëruar shef të ri ekzekutiv të rrjetit të njohur social, “Twitter”, të cilin ai e bleu vitin e kaluar për 44 miliardë dollarë.

Musk-u nuk e përmendi emrin e shefes të re ekzekutive, por tha se ajo do ta fillojë punën pas gjashtë javëve, kur ai do të bëhet udhëheqës ekzekutiv dhe kryeshef për teknologji, raporton televizioni BBC.

Ai ka qenë nën presion për të emëruar një person për ta udhëhequr rrjetin social dhe të përqendrohet te bizneset e tjera të tij.

Vitin e kaluar, pasi përdoruesit e “Twitter”-it votuan që ai të largohej nga pozita e udhëheqësit të rrjetit social, Musk-u tha: “Askush nuk e dëshiron vendin e punës që në të vërtetë mund ta mbajë Twitter-it gjallë.”

Pas njoftimit të tij për emërimin e një individi të ri në detyrën e rëndësishme, vlera e aksioneve të kompanisë “Tesla”, prodhues i veturave elektrike, u rrit. Musk-u është akuzuar më parë nga aksionarët se e ka braktisur këtë kompani pas blerjes së “Twitter”-it dhe se e ka dëmtuar brendin e prodhuesit.

Muajin e kaluar, kur televizioni BBC e pyeti miliarderin se kush do të jetë shef i rrjetit social, ai tha se ka emëruar një qen në këtë pozitë.

Por nëse Musk-u vërtet ka emëruar një grua në pozitën e lartë, ajo do të ishte në mesin e pak grave që kanë arritur në poste të rëndësishme të kompanive të mëdha të teknologjisë.

Lajme të ngjashme