Mungesë ushtarësh, Australia do të shpenzojë qindra miliona për rekrutë e bonuse
Australia do të shpenzojë 600 milionë dollarë australianë për rekrutimin e rezervistëve dhe zgjatjen e afatit të një bonusi në para të gatshme, përderisa Qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Anthony Albanese po synon që ta tejkalojë mungesën e fuqisë punëtore. Zyrtarët pritet ta japin njoftimin për këtë vendim të martën.
Një rishikim i forcës mbrojtjes australiane vitin e kaluar identifikoi presione të mëdha në fuqinë punëtore si problem prioritar, edhe pse Qeveria e ka ngritur buxhetin e mbrojtjes në nivel rekord – 51,5 miliardë dollarë australianë, duke i rindërtuar bazat ushtarake veriore dhe duke siguruar kapacitete për sulme me rreze të gjatë, raporton agjencia “Reuters”.
Në një plan të fuqisë punëtore në fushën e mbrojtjes, që pritet të publikohet të martën, përmendet tregu i punës me konkurrencë dhe nivelet rekorde të ulëta të papunësisë që po i bëjnë trysni aftësisë së sektorit të mbrojtjes për të rekrutuar pjesëtarë të rinj, sipas disa pjesëve të planit që i ka parë agjencia “Reuters”.
Skema e bonuseve, e paraqitur në fund të vitit të kaluar, do të zgjatet deri më 2028 dhe do të zgjerohet në rangje të mesme, duke u ofruar nga 40 mijë dollarë australianë pjesëtarëve të forcës që qëndrojnë për t’i “adresuar zgavrat në forcë”, thuhet në planin që pritet të publikohet të martën.
Departamenti i Mbrojtjes synon që të arrijë fuqi punëtore të përhershme të mbrojtjes prej 69 mijë pjesëtarësh deri në fillim të viteve të 30-a të këtij shekulli, ndërsa fuqia punëtore e mbrojtjes dhe ajo civile, si të kombinuara, pritet të përbëhen nga rreth 100 mijë pjesëtarë deri më 2040, thuhet në plan.
Në qershor, personeli i përhershëm i mbrojtjes përbëhej nga rreth 57 mijë pjesëtarë, më pak se pozitat që financohen.
“Personeli ynë i ADF-së [Forca Mbrojtëse Australiane] është kapaciteti ynë më i madh, prandaj është jetike që fuqia punëtore e mbrojtjes t’i ketë njerëzit që i nevojiten për ta ndihmuar mbrojtjen e interesave strategjike të Australisë” – tha në një deklaratë ministri i Mbrojtjes, Richard Marles.
Australia do të shpenzojë deri në 368 miliardë dollarë australianë për nëndetëse me fuqi bërthamore si pjesë e partneritetit AUKUS me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, si dhe ka ndarë 74 miliardë dollarë australianë për sisteme raketore, përderisa u kundërpërgjigjet tensioneve në rritje me Kinën në rajonin e Indo-Paqësorit./Nacionale