Mrekulli: Katër fëmijë gjenden gjallë 40 ditë pas rrëzimit të aeroplanit në xhunglën e Kolumbisë - NACIONALE

Mrekulli: Katër fëmijë gjenden gjallë 40 ditë pas rrëzimit të aeroplanit në xhunglën e Kolumbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të kequshqyer e me plot pickime nga insektet, katër fëmijë indogjenë u shpëtuan të gjallë nga Amazona kolumbiane të premten pasdite, 40 ditë pasi aeroplani me të cilin po udhëtonin u rrëzua në xhungël.

Këta fëmijë mbijetuan në stuhi të vështira në njërën prej pjesëve më të papërshtatshme të vendit, ku jetojnë kafshë grabitqare dhe ku ka grupe të armatosura, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ata na kanë dhënë një shembull të mbijetesës totale që do të futet në histori”- tha presidenti kolumbian, Gustavo Petro, duke e quajtur këtë rast “gëzim për tërë vendin”.

Katër fëmijët me prindër të njëjtë janë të moshës 13, 9 dhe 4-vjeçare si dhe një foshnjë 11-muajshe. Ata janë pjesë e komunitetit indogjen, Huitoto. Edhe pse të kequshqyer, asnjëri prej fëmijëve nuk ishte në gjendje të rëndë.

Mendohet se ata kanë mbijetuar duke u ushqyer nga pakot ushqimore për mbijetesë, të cilat ishin hedhur nga ajri nga ekipi i kërkimit, por edhe edukimi që e kishin marrë nga gjyshja mund të ketë qenë jetik, tha John Moreno, udhëheqës indogjen nga vendbanimi Vaupes.

“Ky është një pyll i paprekur, i dendur dhe i rrezikshëm… dhe ata do ta kenë përdorur dijen që e kanë fituar nga komuniteti, dijen stërgjyshore, për të mbijetuar”-shtoi ai.

Fëmijët janë dërguar në qytezën San Jose de Guavuare për kontrolle mjekësore dhe vlerësime psikologjike.

Katër fëmijët e së njëjtës familje ishin duke udhëtuar me një aeroplan të vogël të tipit “Cessna 206” nga qyteza San Jose de Guaviare për në Araracuara, në provincën e Amazonës në mëngjesin e 1 majit, kur piloti kishte lëshuar një alarm për shkak të dështimit të motorit.

Dy javë më pas, aeroplani u gjet në xhunglën e provincës Caqueta, 175 kilometra në jug të qytezës San Jose de Guaviare.

Tre trupa të të rriturve, përfshirë atë të nënës 33-vjeçare të fëmijëve, u gjetën në vendin e rrëzimit, por nuk pati ndonjë shenjë të fëmijëve.

Lajme të ngjashme