Mostrat nga Hëna përmes misionit kinez kanë zbuluar molekula uji, thonë shkencëtarët
Përderisa shkencëtarët kinezë i analizuan mostrat e dheut nga sonda e tyre që është kthyer nga Hëna, ata morën vesh diçka të rëndësishme: kishte ujë bashkë me mineralet në mostra.
Gjetja e ujit në Hënë, në vete, nuk është asgjë e re. Sondat e NASA-s dhe të Indisë kanë zbuluar atë që besojnë se është ujë në sipërfaqen e Hënës, ndërsa shkencëtarët kinezë vitin e kaluar gjetën ujë të ngujuar në rruaza qelqi në pjesë të ndryshme të Hënës, raporton televizioni CNN.
Sidoqoftë, zbulimi i fundit, thonë shkencëtarët, është hera e parë që uji në formën e tij molekulare, H2O, është gjetur në mostra fizike dhe, më e rëndësishmja, është nxjerrë nga një pjesë e Hënës ku ata më parë mendonin se kjo formë nuk ekzistonte.
Hulumtuesit i inspektuan në hollësi mostrat e marra nga sonda kineze “Chang’e-5”, e cila ishte lëshuar në sipërfaqen hënore më 2020, dhe gjetën një “kristal transparent në formë të pjatës, prizmatik”, që në të vërtetë ishte “mineral hënor i panjohur”, i emërtuar ULM-1, sipas një studimi të publikuar më 16 korrik në revistën “Nature Astronomy”.
Kristali ULM-1 përbëhet nga rreth 41 për qind ujë, me një pjesë amoniaku që i mban molekulat H20 stabile pavarësisht nga ndryshimet e temperaturave në Hënë, thuhet në studim.
Ky lloj uji mund të jetë “burim për banim hënor” potencial, thanë shkencëtarët në studimin e tyre.
Zbulimi është e gjetura më e re në përpjekjen e Kinës për t’u bërë fuqi mbizotëruese në hapësirë. Ky shtet ka ambicie të mëdha, përfshirë ndërtimin e një baze hulumtuese në Hënë.
Janë tri lloje uji që mund të ekzistojnë në Hënë, sipas gjeologut Yuqi Qian nga Universiteti i Hong-Kongut, që nuk ishte i përfshirë në studim.
Janë molekulat e ujit, përbërja që ne e njohim si H2O; forma e ngrirë dhe një përbërje molekulare e quajtur hidroksil.
Zbulime të kaluara linin të kuptohej se uji kishte ekzistuar në Hënë kur kishin shpërthyer vullkane, në të kaluarën e lashtë dhe uji hënor kishte ardhur nga ato vullkane, që do të thotë se kishte dalë nga brendësia e Hënës dhe ka qenë i pranishëm që nga ekzistenca e hershme e saj./Nacionale