Mospajtime midis liderëve të BE-së para samitit në Bruksel - NACIONALE

Mospajtime midis liderëve të BE-së para samitit në Bruksel

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e BE-së janë duke u mbledhur në Bruksel për t'u takuar në një samit të jashtëzakonshëm dy-ditor, ku temat kryesore do të jenë lufta në Ukrainë, varësinë nga energjia dhe investimet në mbrojtje.

Rendi i ditës së këtij takimi, megjithatë, mbetet nën hijen e negociatave e stërzgjatura rreth ndalimit të propozuar në mbarë BE-në për importet e naftës ruse.

Kanë kaluar pothuajse katër javë që kur Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, paraqiti propozimin për të hequr gradualisht të gjitha produktet e naftës ruse deri në fund të vitit.

Embargoja ishte krijuar për të synuar si importet përmes detit ashtu edhe ato të tubacioneve.

Por menjëherë pas njoftimit të saj, disa shtete anëtare, duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë, ngritën shqetësime dhe kërkuan përjashtime për të pasur më shumë kohë për të përshtatur rafineritë e tyre dhe për të zbutur ndikimin ekonomik.

Disa raunde negociatash intensive që janë mbajtur deri më tani nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë përparim, meqë Hungaria ka marrë primatin e kundërshtarit kryesor, duke qenë mjaft e zëshme në qasjen e saj.

Kryeministri Viktor Orbán kërkoi që masa të hiqet nga axhenda e samitit, por çështja do të bëhet e pamundur për t'u shmangur nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri në kohën kur liderët të ulen rreth tryezës.

"Diskutimi i paketës së sanksioneve në nivel liderësh në mungesë të një konsensusi do të ishte kundërproduktive," shkroi Orbán në letrën drejtuar presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel. "Kjo vetëm do të nënvizonte ndarjet tona të brendshme pa ofruar një shans realist për të zgjidhur mosmarrëveshjet."

Ndërkohë, Ukraina është duke humbur durimin e saj. Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, ka shkrua në Twitter se paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së "duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur, duke përfshirë embargon e naftës".

Sanksionet e BE-së kërkojnë unanimitetin e të 27 shteteve anëtare.

Lajme të ngjashme