Mosmarrëveshje brenda qeverisë gjermane për shitjen e aeroplanëve luftarakë në Arabinë Saudite
Koalicioni qeveritar në Gjermani ka mosmarrëveshje brenda vetes për atë nëse duhet të përkulet para presionit britanik dhe ta miratojë prodhimin e aeroplanëve luftarakë të tipit “Eurofighter Typhoon” për Arabinë Saudite, raportoi të shtunën gazeta “Welt am Sonntag”, duke cituar burime anonime.
Një marrëveshje mes Arabisë Saudite dhe kompanisë “BAE Systems” para pesë viteve për shitblerjen e 48 aeroplanëve luftarakë ishte pezulluar për shkak të luftës në Jemen, ku forcat e udhëhequra nga sauditët ndërhynë më 2015, raporton agjencia “Reuters”.
Burimet e kësaj industrie i kishin thënë agjencisë “Reuters” atë kohë se një e treta e pjesëve të këtyre aeroplanëve vijnë nga Gjermania.
Kancelari Olaf Scholz dhe ministri i Financave, Christian Lindner, janë duke anuar nga lejimi i eksportit të këtyre aeroplanëve, por Të Gjelbrit dhe disa anëtarë të SPD-së së kancelarit janë fuqishëm kundër këtij vendimi, sipas raportit të gazetës gjermane.
Gjermania kishte vendosur ndërprerje të rreptë të shitjes së armëve në Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi më 2018, duke marrë qasje shumë të të rreptë se aleatët e rëndësishëm, si Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania.
Sipas një pakti qeveritar të vitit 2018 mes kancelares së atëhershme, Angela Merkel, dhe SPD-së, ndalohej shitja e armëve për secilën palë të luftës së Jemenit, përpos për produktet e miratuara më parë dhe për ato që do të mbeten në shtetin blerës.
Që nga rivendosja e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Iranit, që mund t’i japë fund luftës së tyre me prokura në Jemen, britanikët kanë argumentuar se Gjermania nuk mund ta bllokojë eksportimin e aeroplanëve “Eurofighter” te palët e treta.
Një zëdhënës i Kancelarisë së Gjermanisë refuzoi që ta komentonte këtë çështje për gazetën “Welt am Sonntag”.
