“Mosbesim i vazhdueshëm”: Netanyahu synon ta shkarkojë shefin e inteligjencës së brendshme, Ronen Bar - NACIONALE

“Mosbesim i vazhdueshëm”: Netanyahu synon ta shkarkojë shefin e inteligjencës së brendshme, Ronen Bar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se përmes një votimi të kabinetit këtë javë do të synojë që ta shkarkojë drejtorin e agjencisë izraelite për inteligjencës të brendshme “Shin Bet”, Ronen Bar. Ky veprim pritet të nxisë akuza të mëtejme për autoritarizëm.

Netanyahu tha në një video-deklaratë të publikuar të dielën se “mosbesimi i vazhdueshëm” ia ka bërë atij të pamundur vazhdimin e punës me Ronen Bar-in, i cili e ka udhëhequr agjencinë “Shin Bet” që nga viti 2021, raporton gazeta “The Guardian”.

Lëvizja vjen pas një përplasjeje gjithnjë më të ashpër mes dy figurave të larta në lidhje me përgjegjësinë për dështimet që e mundësuan sulmin e befasishëm të Hamasit më 7 tetor 2023, duke e nxitur më pas luftën në Gaza.

Agjencia “Shin Bet” është përgjegjëse për vëzhgimin e grupeve militante palestineze. Kjo agjenci rishtazi ka publikuar një raport në të cilin e pranon përgjegjësinë për dështimet e veta në lidhje me sulmin e Hamasit, por gjithashtu e kritikon Netanyahun, duke thënë se politikat qeveritare ishin në mesin e shkaktarëve.

Netanyahu nuk ka pranuar ndonjë përgjegjësi për sulmin, në të cilin u vranë rreth 1.200 njerëz e 251 të tjerë u morën peng, edhe pse ishte kryeministër në atë kohë dhe ka qenë në pushtet për gjithsej 17 vjet.

Aleatët e Netanyahut nga e djathta ekstreme e kanë mirëpritur planin për shkarkimin e Ronen Bar-it. Ish-ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, tha se është “më mirë vonë se kurrë” që Bar-i të shkarkohet. Besnikët e kabinetit qeveritar gjithashtu e mirëpritën planin, duke e cilësuar si “mbrojtje të demokracisë” nga kryeministri.

Megjithatë, udhëheqësi opozitar, Yair Lapid, premtoi se do ta sfidojë në gjykata shkarkimin e Bar-it, ndërsa ish-kryeministri Ehub Barak tha se Netanyahu “ka dalë nga binarët” dhe “po rebelohet kundër sundimi të ligjit”.

Mediat izraelite e kanë kritikuar Netanyahun se ka lejuar që ndihma financiare substanciale nga Katari të arrijnë te Hamasi, në atë që duket si përpjekje për ta fuqizuar grupin militant në Gaza si rival ndaj Autoritetit Palestinez me bazë në Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Tensionet e arritën kulmin këtë fundjavë, kur paraardhësi i Bar-it në “Shin Bet”, Nadav Argaman, tha se do të publikonte të dhëna të ndjeshme për Netanyahun, nëse zbulohet se kryeministri e ka shkelur ligjin. Netanyahu e akuzoi Argaman-in për shantazh dhe paraqiti një ankesë në polici.

Agjencia “Shin Bet” nuk pati një reagim të menjëhershëm ndaj njoftimit të Netanyahut./Nacionale

Lajme të ngjashme