Mos i nënvlerësoni ushtarët e Koresë së Veriut në Rusi, thonë disa ekspertë
Larg nga shtëpitë e tyre në njërin prej shteteve më të fshehta në botë, rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut e gjejnë veten në qendër të konfliktit më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pak dihet për trupat e Koresë së Veriut të dislokuar për ta mbështetur Rusinë në luftën e saj të gjatë e shkatërruese në Ukrainë – ose për çfarë saktësisht do të urdhërohen ata – dhe prania e tyre madje as nuk është pranuar zyrtarisht nga Moska ose Penjani, raporton televizioni CNN.
Zyrtarë të inteligjencës amerikane, ukrainase e koreanojugore thonë se trupat e Koresë së Veriut tashmë janë përfshirë në operacione luftarake, duke iu bashkuar një force ruse prej dhjetëra mijëra pjesëtarësh për të kryer sulme ndaj pozicioneve ukrainase në rajonin perëndimor rus, Kursk. Ka pasur shumë spekulime se si do të performojnë trupat koreane.
Koreja e Veriut ka pësuar “disa qindra” viktima – të vrarë e të plagosur – në rajonin e Kurskut që nga dërgimi i mijëra forcave në Rusi në tetor, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Ushtarët e Penjanit kanë mungesë të përvojës në fushën e vërtetë të betejës dhe do të ballafaqohen me terren të panjohur në një skenë brutale e moderne të luftës, që ka shkaktuar kaos e tmerr për të dyja palët, përderisa numri i të vdekurve rritet përgjatë vijës së frontit.
“Nëse do ta përshkruaja kapacitetin e tyre më gjerësisht dhe nëse nuk do t’i mendoja pajisjet që ata i kanë, do t’ju thosha se këta nuk janë trupa të thekur në betejë, nuk kanë qenë në luftime më parë – tha zyrtari amerikan, duke shtuar se në vlerësimin e ShBA-së për viktima përfshihen “të gjitha rangjet”.
Sidoqoftë, disa analistë kanë paralajmëruar kundër nënvlerësimit të trupave nga Koreja e Veriut.
Udhëheqësi i shtetit të largët aziatik, Kim Jong Un, do t’i dërgojë “më të mirët” nga një forcë elite e ushtarëve të trajnuar shumë e “të indoktrinuar”, të njohur si Trupat e Stuhisë, sipas gjeneralit të pensionuar, Chun In-bum, veteran i ushtrisë së Koresë së Jugut.
Disa janë pjesëtarë të forcave speciale, njësoj si “Navy Seals” të ShBA-së ose SAS-i i Britanisë. Ai shtoi se të tjerët janë pjesëtarë të këmbësorisë së lehtë dhe snajperë.
Trupat e Stuhisë – Trupa e 11-të e ushtrisë koreanoveriore – janë “më mirë të trajnuar, (kanë) formë fizike më të mirë dhe (janë) më mirë të motivuar se ushtari mesatar i Koresë së Veriut”, tha veterani Chun.
Michael Madden nga programi “38 North” në Qendrën “Stimson” në Uashington thotë se dislokimi më i madh i ushtarëve të Koresë së Veriut që nga Lufta e Vietnamit është i pajisur me “mashtrime të caktuara psikologjike” për këmbëngulje.
“Këta djem janë të programuar. Këta djem janë të indoktrinuar, por pyetja është, sa mirë të indoktrinuar? Sa mirë të programuar janë ata” – tha Madden.
“Ata ndoshta janë më mirë të pozicionuar se anëtarë të tjerë të ushtrisë, ose se anëtarë të tjerë të ushtrive që shkojnë në një konflikt të huaj, në aspektin e përgatitjes së mendjeve të tyre” – shtoi ai.
Forcat speciale janë të trajnuara për të kryer misione thellë brenda territorit të armikut, për të grumbulluar të dhëna të inteligjencës dhe për të nisur sulme të drejtpërdrejta.
“Këto njësite koreanoveriore, misioni kryesor i tyre është që të ndërpresin” – tha veterani ushtarak nga Koreja e Jugut, Chun.
Sipas Madden-it, pjesë e Trupës së 11-të është një divizion prej 10 mijë pjesëtarësh që janë të trajnuar për t’u lëshuar me parashuta ose për të depërtuar në territorin e armikut dhe për të kryer vrasje, dëmtim të infrastrukturës dhe sabotim.
Ai shtoi se disa njësite komando janë edhe të trajnuara për të kryer vetëvrasje e të mos pranojnë që të kapen të gjallë.
Chun tha se shumica e ushtarëve koreanoveriore që i ka hasur gjatë shërbimit të tij do ta bënin këtë zgjedhje fatale.
“Kjo ndodh për shkak se nëse bën vetëvrasje, në Korenë e Veriut ofrohet kujdes për familjen tënde. Ti do të konsideroheshe hero për pjesën tjetër të përjetësisë” – tha ai.
Fuqia mendore, megjithatë, mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i tejkaluar sfidat më të rënda me të cilat mund të ballafaqohen ushtarët nga Koreja e Veriut.
Lufta me dronë e ka transformuar fushën e betejës në Ukrainë, duke u shkaktuar nivele të reja të vëzhgimit dhe shkatërrimit caqeve ushtarake, por edhe civilëve e infrastrukturës civile.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli